Gazeta Si – Luiza Gega, kampione e freskët e Europës në garën e 3000 metrave me pengesa, është kthyer sot në Shqipëri. Në Aeroportin e Rinasit, fituesja e medaljes së artë në Europianin e Gjermanisë është pritur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, si dhe nga presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli.
Gega arriti një rezultat të jashtëzakonshëm për atletikën shqiptare të shtunën në mbrëmje. Ajo u shpall kampione, duke thyer edhe rekordin e Europianit.

Gjatë fjalës së saj në Rinas, atletja 33-vjeçare ka theksuar se ndihet shumë e lumtur për faktin se është shpërblyer çdo sakrificë që ajo ka bërë:
“Më është dashur të jetoj larg familjes vetëm për këtë gjë, për sportin. Mezi pres të takoj familjen time, nuk kisha mundësi të takoja as mamanë.
Nuk mund ta lija stërvitjen në mal për këtë ëndërr. Nuk do të doja të zgjidhja asgjë tjetër për këtë gjë. Jam shumë e lumtur, që sot u shpërblye çdo sakrificë e imja.
Ka ndryshuar mbështetja kohët e fundit, qoftë nga bashkia, qoftë nga klubi i Tiranës. Dy vitet e fundit ka ndryshuar shpërblimi për sportin”, – tha Gega.

Ministrja Kushi, në ceremoninë e pritjes për Luiza Gegën, u shpreh: “Shqipëria po ngrihet në një nivel të ri në arenën ndërkombëtare. Përveç ligjit të ri për sportin, jam krenare veçanërisht për ndryshimet e fundit në VKM, ku kemi parashikuar të shpërblejmë edhe sportistët e sporteve individuale, të cilët arrijnë rezultate në veprimtaritë ndërkombëtare.
Një vendim për t’u dhënë vlerësimin dhe dinjitetin e merituar sportistëve tanë elitare, duke i motivuar jo vetëm ata, por gjithë të rinjtë e të rejat që merren me sport.
Ndër emocionet më të veçanta që kam përjetuar gjatë punës si ministre, ka qenë momenti kur Luiza dhe Brikeni valëvitën flamurin kuqezi në stadiumin olimpik të Tokios 1 vit më parë.
Momenti i dytë më emocionues ishte të shtunën, teksa ti Luiza, me lot në sy, valëvite përsëri flamurin shqiptar, duke e sjellë për herë të parë në Shqipëri medaljen e artë në atletikë. Nuk ka emocion më të bukur se lotët e gëzimit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje