Bota

Lula mposht Bolsonaron dhe rikthehet president pas 11 vitesh: Fitoi populli i Brazilit

Gazeta Si – Brazili ka zgjedhur presidentin e ri: Lula mposht Bolsonaron dhe rimerr vendin për herë të tretë 11 vjet pas mandatit të tij të fundit.

Në votimin për zgjedhjet presidenciale, me 100% të votave të numëruara, kreu i Partisë së Punës mori 50,88% kundrejt 49,12% të kandidatit të djathtë të Partisë Liberale.

Rezultati erdhi në fund të një gare emocionuese kokë më kokë, e cila në fillim e kishte parë Bolsonaron në krye dhe në fund të një fushate të zjarrtë elektorale. “I vetmi fitues është populli brazilian”, tha Lula.

Qendrat e votimit u mbyllën në orën 17:00 me orën lokale, në orën 21:00 në Europë.

Më shumë se 120 milionë brazilianë votuan, me rreth 20% që abstenuan në raundin e parë.

Operacioni i numërimit u krye në mënyrë elektronike, për këtë arsye rezultati përfundimtar u bë i disponueshëm pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit. Bolsonaro bëhet kështu presidenti i parë që dështon në përpjekjen e tij për rizgjedhje.

“Në një nga zgjedhjet më të rëndësishme në Brazil, ka vetëm një fitues: populli brazilian”, komentoi Lula.

“Nuk është një fitore e imja apo e partisë sime, por e një lëvizjeje të jashtëzakonshme demokratike. Shumica e njerëzve e kanë bërë të qartë se duan më shumë demokraci dhe jo më pak. Ata duan më shumë liri, më shumë barazi dhe më shumë vëllazëri”. shtoi ish-sindikalisti, i cili e filloi fjalën e tij “duke falënderuar Zotin që më lejoi të dal nga ku dola dhe të arrij këtu ku jam”.

“Nga 1 janari do të qeveris për të gjithë brazilianët dhe jo vetëm për ata që më votuan”, vazhdoi presidenti i ri. “Është koha për të ribashkuar familjen. Askush nuk është i interesuar të jetojë në një vend që është vazhdimisht në luftë. Është koha për të lënë armët. Ata u përpoqën të më varrosnin të gjallë, por unë pata një proces ringjalljeje në politikën braziliane, – tha Lula. – Jam këtu për të qeverisur vendin në një kohë shumë të vështirë, por do të mund të gjejmë përgjigjet”.

Lula ka fituar pozitën e presidentit të Brazilit për herë të parë më 2002. Katër vjet më vonë, e ka fituar edhe mandatin e dytë.

Politikat e eksporteve me Kinën, dhe programet tjera të ndihmës, kanë ngjitur miliona brazilianë në klasë të mesme.

Ai është larguar nga pozita e presidentit me normë të mbështetjes prej mbi 80 për qind.

Madje ish-presidenti amerikan, Barack Obama, e pati konsideruar atë “politikanin më popullor në botë”.

Më vonë ai është dënuar për korrupsion dhe pastrim parash, çka i ka pamundësuar garën në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018.

Ndërkohë, Gjykata Supreme ka vlerësuar ligjshmërinë e dënimeve të tij, të cilat përfundimisht i ka anuluar me arsyetimin se kryetari i trupit gjykues federal ka qenë i njëanshëm dhe ka bashkëpunuar me prokurorët.

Pas 580 ditëve në burg, da Silva është liruar. Për të, kjo fitore e re përbën kthim të fuqishëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë