Në takimin me demokratët e Lezhës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka sqaruar për herë të parë se pse ai, ndryshe nga kandidatët përballë tij, nuk ka paraqitur një projekt në garën për kreun e partisë
“…Bashkë kemi bërë një udhëtim jo thjesht politik, por edhe transformues brenda partisë tonë. Në 2018 kemi miratuar një statut të ri, i kemi dhënë fuqi anëtarësisë, kemi bërë organizime dhe riorganizime dhe padiskutim që ne duhet të vazhdojmë të jemi të gatshëm të bëjmë përmirësime të tjera.
Por 13 qershori nuk është, nuk bëhet për ndryshime eventuale të statutit apo përparime dhe ndreqje eventuale të organizimit, jo se ato nuk duhen, patjetër që duhen.
13 qershori ka të bëjë me diçka tjetër shumë më të madhe se kjo. Është hapi i parë në betejën që rinisim, ndaj dhe kërkesa ime e parë dhe kryesore është le të dalim nga 13 qershori edhe më të bashkuar, edhe më të vendosur.
Kërkesa ime kryesore është: të më besoni të vazhdoj t’ju drejtoj deri në përfundimin me sukses dhe me fitore të kësaj beteje.
Sepse përgjegjësia që bashkëndajmë shkon përtej partisë tonë.
Sepse misioni që kemi marrë mbi supe dhe që e kemi çuar afër realizimit, misioni ynë pavarësisht prej kësaj vazhdon…”, tha Basha
Kryetari i demokratëve nënvizoi sërish se nga gara për kryetar, PD duhet të dalë me e fortë dhe më e bashkuar.
“Jam i bindur se nga ky lloj komunikimi do të dalim me një dimension të ri përfitues për familjen tonë dhe për vendimet që na presin dhe për zbatimin e këtyre vendimeve.
Megjithatë e kam thënë dhe dua ta përsëris që nxitimi dhe paqartësia që sundojnë në zemrat e ndokujt, nuk mund të kthehet as në arsye, as në justifikim për t’i rënë me shkelm asaj që ju keni ndërtuar, asaj që ne kemi ndërtuar së bashku në këto vite.
Sikundër dua ta bëjë të qartë që gara e ka po kështu edhe një disavantazh.
Dhe ky disavantazh është fakti që dorëzimi përball atyre që e konsiderojnë 25 prillin fitore të Ramës dhe jo masakër zgjedhore, mund të çoj në lindjen e një përçarje në radhët tona”, tha ai.
Basha e tha qartë se kush mendon se kjo nuk ishte masakër zgjedhore lehtëson vetëm kundërshtarin.
“Ju kërkoj ju dhe të gjithë atyre që vendosin Partinë Demokratike mbi veten e tyre dhe Shqipërinë mbi gjithçka, që mos t’ia lejojmë kundërshtarit këtë luks”
“Le ta bëjmë garën, le ta bëjmë debatin. Le t’i themi ato që janë për t’u thënë sy më sy pa asnjë ndrojë, por në fund të çdo takimi të këtij dhe çdo takimi tjetër që mund të keni, le mos të harrojmë se pas 13 qershorit duhet të dalim më të fortë e më të bashkuar e mos të harrojmë që çdo sekondë beteja jonë e vetme është beteja me Edi Ramën, kundër tij, kundër regjimit të tij, armik të Shqipërisë, armik të demokracisë, është misioni që na kanë ngarkuar shqiptarët dhe që ne do ta çojmë deri në fund me bekimin e Zotit dhe me forcën e shpirtit të demokratëve të Lezhës dhe të mbarë Shqipërisë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje