Presidenti francez Emmanuel Macron ka akuzuar Turqinë për mbajtjen e një qëndrimi “luftarak” ndaj aleatëve të saj në NATO, duke thënë se se Rexhep Tajip Erdogan ka prirje perandorake ndaj Europës.
Në një intervistë me “Al-Jazeera” të transmetuar të shtunën, Macron dënoi sjelljen e Turqisë në Siri, Libi dhe Mesdhe duke thënë se “Turqia po sfidonte ushtarakisht aleatët e në NATO.”
Ai gjithashtu u përpoq të qetësonte tensionet e ndezura me myslimanët në të gjithë botën pas retorikës se ashpër pas vrasjes së mësuesit francez , Samuel Paty, i cili tregoi karikaturat e profetit Muhamed së bashku me karikaturat e tjera si pjesë e një diskutimi mbi fjalën e lirë.
Macron tha se dëshira e Francës ishte që gjërat të “qetësoheshin” por që kjo të ndodhte, ishte thelbësore që “presidenti turk të respektonte Francën, të respektonte Bashkimin Europian, të respektojë vlerat e tij, të mos thotë gënjeshtra dhe të mos fyejë BE-në”.
Ai vuri në dukje se Franca i kishte shprehur ngushëllimet Turqisë pas tërmetit vdekjeprurës në Egje dhe gjithashtu kishte ofruar ndihmë për të dërguar ekipet speciale.
Ai e përshkroi ndërhyrjen e Turqisë në Siri si një surprizë dhe agresion për aleatët e NATO-s dhe tha që Ankaraja nuk kishte respektuar embargon e armëve në Libi dhe po mbante një qëndrim “gjithnjë e më agresiv” në Mesdheun lindor.
“Vërej se Turqia ka prirje perandorake në rajon dhe mendoj se këto prirje perandorake nuk janë një gjë e mirë për stabilitetin e rajonit”, tha Macron.
Javë të tëra tensionesh midis Francës dhe Turqisë arritën kulmin fundjavën e kaluar kur Erdoğan vuri në dyshim shëndetin mendor të Macron.
Franca u përgjigj duke ndërmarrë një hap jashtëzakonisht të pazakontë për të tërhequr ambasadorin e saj në Ankara për konsultime. Të shtunën, ministri i jashtëm Jean-Yves Le Drian tha se Franca do të dërgojë ambasadorin e saj përsëri në Ankara pas një jave mungesë.
Le Drian tha se Turqia bëri zgjedhje të qëllimshme duke mbrojtur prerjen e kokës së mësuesit francez, duke akuzuar Ankaranë për fillimin e “një fushate urrejtjeje dhe shpifëse kundër Francës”.
“Ne i kërkuam ambasadorit tonë që të kthehej në Ankara nesër për të kërkuar një sqarim dhe shpjegim nga autoritetet turke,” shtoi ai.
Në intervistën për “Al-Jazeera”, Macron tha se ai e kuptonte që karikaturat e profetit Muhamed mund të ishin tronditëse, por tha se shteti francez nuk ishte pas tyre.
Franca është vënë nën sulm në fillim të shtatorit pas publikimit të karikaturave të profetit nga e përjavshmja Charlie Hebdo, e cila u pasua nga një sulm jashtë ish zyrave të saj, prerja e kokës së një mësuesi dhe një sulm me thikë të enjten që la tre të vdekur .
Macron ndezi protesta në të gjithë botën myslimane pas vdekjes së Paty duke thënë se Franca nuk do të hiqte dorë nga ligjet e saj që lejojnë karikaturat. Por në një përpjekje të dukshme për t’u afruar me myslimanët, Macron u përpoq të fliste me një ton më të butë.
“Unë mund ta kuptoj që njerëzit mund të tronditen nga karikaturat, por unë kurrë nuk do të pranoj që dhuna të justifikohet,” tha ai.
“Unë e kuptoj zëmërimin që kjo zgjon, e respektoj. Por unë dua që ju të kuptoni rolin që unë kam. Roli im është t’i qetësoj gjërat, siç po bëj këtu, por në të njëjtën kohë është të mbroj këto të drejta “, tha presidenti. “Unë gjithmonë do ta mbroj në vendin tim lirinë për të folur, për të shkruar, për të menduar, për të vizatuar.”
Ai gjithashtu denoncoi thirrjet për bojkot të mallrave franceze, të mbështetur veçanërisht nga Erdogan, si “të padenja” dhe “të papranueshme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje