Bota

Macron organizon një samit të përbashkët europian kundër terrorizmit

Presidenti francez, Emmanuel Macron do të organizojë të martën një samit virtual për të koordinuar një përgjigje të përbashkët europiane ndaj sulmeve të fundit terroriste në Europë.

Ai së pari do të takohet në Paris me kancelarin austriak, Sebastian Kurz dhe të dy më pas do të diskutojnë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, shefin e Këshillit Europian, Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen përmes një video-konference.

Më 16 tetor, në Francë, një mësues i historisë u vra në mënyrë mizore, pasi ai e kishte ilustruar një ligjeratë për shprehjen e lirë, me karikaturën e profetit Muhamed. Një 18-vjeçar me origjinë nga Çeçenia, i lindur në Moskë, është përgjegjës për vrasjen. Sulmuesi ia kishte prerë kokën mësuesit. Pas sulmit, ai është qëlluar për vdekje nga policia.

Më 29 tetor një burrë tjetër vrau tre persona në një kishë të Nicës, në atë që presidenti francez Emmanuel Macron e përshkroi si “një sulm terrorist, islamik”.

Ndërsa më 2 nëntor në Vjenë të Austrisë një sulmues vrau katër persona dhe plagosi 22 të tjerë. Policia austriake vrau sulmuesin e dyshuar, që e identifikuan si Kujtim Fejzullai, 20 vjeç, me shtetësi austriake dhe origjinë nga Maqedonia e Veriut. Grupi militant, Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, pa dhënë prova. Kancelari austriak Sebastian Kurz e quajti një “sulm të neveritshëm terrorist”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë