Ne rrjet

Macron propozon pezullim të Shengenit në raste krizash

Franca po përgatitet për marrjen e Presidencës së Bashkimit Europian në janar të vitit të ardhshëm dhe Presidenti Macron është duke shqiptuar njëri pas tjetrit prioritetet që do të ketë në krye të unionit për gjashtë muajt e parë të 2022-it.

Mes tyre, janë disa propozime që nëse miratohen dhe gjejnë mbështetjen e 26 vendeve të tjera anëtare të bllokut mund të ndryshojnë rrënjësisht disa mekanizmave të funksionimit të unionit.

Një prej mekanizmave kryesorë është ai i lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve, apo njohur si hapësira Shengen. Macron njoftoi të enjten në një konferencë për shtyp në Paris se ka ndërmend që të hedhë një propozim që do të pezullonte njërën nga këto katër shtylla të lëvizjes së lirë në rastet e një krize.

Propozimi është rikthim i një ideje të mëhershme të Francës, të shqiptuar për herë të parë pas krizës së refugjatëve sirianë që shpërtheu në vitin 2015. Në propozimin e risjellë me disa modifikime nga Macron, Parisi hedh idenë e pezullimit të përkohshëm të lëvizjes së lirë të njerëzve brenda BE-së në rastet e një krize të ngjashme refugjatësh si ajo e 2015-s.

Macron thotë se ideja synon që të mbrojë BE-në që në kufijtë e jashtëm të saj, por nëse barrierat në kufijtë e jashtëm bien, atëherë pezullimi i Shengenit mund të ndërmerret edhe në hapësirat e brendshme të BE-së.

“Një Europë sovrane është për mua një Europë që i ka nën kontroll kufijtë e saj. Ne jemi vonuar në këtë drejtim”, është shprehur Macron.

Presidenti francez iu referua situatës në kufirin e Polonisë me Bjellorusinë, si edhe në Kanalin e La Manshës, dy pikat me fluksin më të madh të refugjatëve aktualisht në hapësirën e BE-së. Në Bjellorusi, fluksi është në hyrje të BE-së, ndërsa në La Mansh, që pas shkëputjes së Britanisë së Madhe, ky fluks është për në dalje.

Macron tha se Presidenca franceze do të avancojë në bisedimet për projektin që parashikon një ndarje më të drejtë të refugjatëve në Europë. “Për këtë është e nevojshme që “të bashkëpunohet me vendet e tranzitit dhe të origjinës, për të luftuar bandat e kontrabandistëve”, tha ai.

Propozimi tjetër i Macron lidhet me rregullat e azilkërkimit. Ai kërkon që rregullat të jenë të njëjta në të 27 vendet anëtare të unionit dhe të thjeshtohen për të shmangur burokracitë, vonesat në trajtimin e kërkesave dhe proceset gjyqësore që në shumë raste shkojnë me muaj e vite.

Prioriteti i radhës i Francës do të jetë rishikimi i kufirit tavan të borxhit për vendet anëtare. Aktualisht, sipas një marrëveshjeje të 1992, një vend anëtar i BE-së nuk mund të kalojë nivelin 3 për qind të borxhit të ri vjetor dhe nivelin 60 për qind të GDP-së. Që të dyja këto rregulla, pas krizës financiare që shpërtheu në 2008 janë shkelur nga shumë vende të unionit.

Lehtësimi i këtyre rregullave, që prej asaj kohe është kërkuar me ngulm nga vende si Greqia, Italia, Spanja e Portugalia, por që kanë hasur gjithmonë në rezistencën e Gjermanisë, Holandës, Danimarkës dhe Suedia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë