Futboll

Madridi special i Ronaldos, 9 vite si mbret në shtëpinë 5 milionë euro

Një shtëpi përrallore me vlerën e 5 milionë eurove në lagjen rezidenciale “La Finca”, shumë vende të tjera të shtrenjta dhe biznes. Për CR7, kryeqyteti spanjoll është gjithmonë special. Ronaldo është kthyer të martën në Madrid, në qytetin ku ka jetuar 9 vite si mbret. Këtë herë është kthyer për të luajtur futboll, për të bërë atë që di më mirë të bëjë. Gjatë 7 muajve me Juventusin, ai ka qenë dy herë në Madrid, por për çështje personale, duke përjashtuar vizitën “rrufe” për mbylljen e problemit të shumë përfolur me tatimet në Spanjë.

Sa shumë kujtime nga Madridi për yllin portugez, i cili u shenjtërua gjatë 9 viteve me Realin e Madridit, pas shpërthimit te Mançesteri. Në Madrid ka gjetur dashurinë, në dyqanin “Gucci”, ku shkonte për të bërë shoping. Aty takoi Xhorxhinën, e cila humbi vendin e punës për shkak të fotove me portugezin të shpërndara nga paparacët. Por Ronaldo i gjeti një dyqan të ri “Prada”, në zonën “Corte Ingles della Castellana”, shumë pranë stadiumit “Santiago Bernabeu”. Në këtë stadium portugezi ka shënuar me qindra gola, por nuk ka pasur një raport dashurie të vërtetë dhe përplasjet apo vërshëllimat nuk kanë munguar.

Rezidenca e Kristiano Ronaldos në Madrid

Në Madrid, pak pas zbarkimit të tij në vitin 2009, Ronaldo u akomodua në “La Finca”, një qendër rezidenciale e blinduar në veri të kryeqytetit spanjoll dhe shumë pranë qendrës stërvitore të Atletikos. Një shtëpi me vlerën 5 milionë euro, ende në pronësinë e tij. Ndryshe nga Ronaldo Fenomeni, që në rezidencën e tij kishte një diskotekë, Kristiano ka një palestër super dhe një sallë terapie. Ronaldo nuk i kishte bërë llogaritë për të pritur miq në shtëpi. Takimet me shokët, miqtë dhe të afërmit i bënte gjithmonë në restorantet e preferuar: “Tatel”, ku është ortak bashkë me Rafael Nadal, Pau Gasol dhe Enrike Iglesias, apo te “Lux”, “Numa Pompilio”, “Peyote San”, “Kabuki”, “Sanceloni” dhe “Cielo de Urrechu” pranë shtëpisë. Ka kohë që Ronaldo të kthehet për të ngrënë në këto restorante, sot është dita që ai të lërë edhe një herë shenjë në Madridin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë