Në prag të sezonit turistik, Mali i Zi ka finalizuar të gjitha protokollet shëndetësore dhe qeveria ka marrë një vendim për të siguruar trajtim spitalor për turistët e huaj nëse infektohen me Covid gjatë qëndrimit në këtë shtet.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Jakov Milatović, tha se protokollet shëndetësore do të shpërndahen në industrinë e turizmit dhe ambasadat javën e ardhshme dhe do të jenë në anglisht dhe rusisht.
Ministrja e Shëndetësisë,Jelena Borovinić Bojović, deklaroi se shteti do të mbulojë të gjithë trajtimin e turistëve që infektohen apo shtrohen në spital.
“Qeveria ka marrë një vendim që turistët që sëmuren me Covid-19 gjatë qëndrimit të tyre në Malin e Zi do të shtrohen në spital dhe do të trajtohen në ngarkim të shtetit” tha ajo.
Testimi me PCR në rast se turistët duhet të kthehen në vendin e tyre, do të kryhet normalisht në Malin e Zi në dy mënyra paralele: njëra do të organizohet me ndihmën e Institutit të Shëndetit Publik të këtij shteti dhe do të kryhet falas dhe së dyti do të shihet mundësia e bërjes së testeve në laboratorë privatë.
“Të gjithë hotelierët do të caktojnë 10% të kapacitetit të tyre për rastet e mundshme me Covid-19”, njoftoi gjithashtu Borovinic Bojovic.
Masa e hyrjes në Malin e Zi pa test për shtetasit e Serbisë, Kroacisë, Rusisë, Bjellorusisë, Ukrainës dhe Shqipërisë mbetet në fuqi.
Burimi: Politika.Rs
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje