Dy vëllezër janë gjetur të pajetë në Maliq.
Policia thotë se mesditën e kësaj të marte janë gjetur të trupat e pajetë të dy vëllezërve, Andrea dhe Martin Olldashi, në fshatin Zvirinë të Maliqit. Ata dyshohet të kenë humbur jetën nga përdorimi i armës së zjarrit.
“Më datë 10.12.2020, rreth orës 11:50, në fshatin Zvirinë, në afërsi të vendit të quajtur “Kisha e vogël”, janë gjetur të pajetë, trupat e vëllezërve A. O., 33 vjeç dhe M. O., 31 vjeç, banues në Pogradec, të cilët dyshohet të kenë humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, këta shtetas, ishin larguar nga banesa e tyre që prej mbrëmjes së datës 7 dhjetor.
Mësohet se vëllezërit nga Pogradeci, Andrea Olldashi 33 vjeç dhe Martin Olldashi 31 vjeç, banues në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar, rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë.
Dyshohet se ata rezultojnë të përfshirë në trafik narkotikësh, ndërsa ishin edhe vetë përdorues.
Ata edhe në të shkuarën kanë pasur përballje me policinë dhe drejtësinë.
Në lidhje me këtë ngjarje menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale të strukturave hetimore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.
“Forcat Operacionale të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, janë duke krehur zonën, gjithashtu janë shoqëruar në Polici disa persona për t’u marrë në pyetje nëse kanë dijeni apo jo në lidhje me këtë ngjarje’, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, policia thotë se po ndiqet itinerari i lëvizjeve dhe po kryhen një sërë veprimesh hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje si edhe kapjen e vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje