Bota

Malta, vendi i parë europian që legalizon kanabisin për përdorim personal

Me 36 vota pro dhe 27 kundër, Parlamenti i Maltës ka miratuar legalizimin e marijuanës për përdorim personal, duke u bërë vendi i parë në Evropë që prezanton një ligj për përdorimin rekreativ të kanabisit. Mungon vetëm firma e presidentit maltez, e cila megjithatë konsiderohet formalitet dhe zakonisht vjen pas disa ditësh.

Ligji parashikon legalizimin e posedimit të kanabisit për përdorim personal deri në 7 gram për të gjithë shtetasit e moshës 18 vjeç e lart.

“Ok” është dhënë edhe për kultivimin në shtëpi të katër bimëve (për maksimumi 50 g produkt të thatë që mund të ruhet) dhe për krijimin e klubeve jofitimprurëse për kultivimin kolektiv dhe shpërndarjen e produktit midis anëtarëve.

Dispozita parashikon gjithashtu krijimin e një autoriteti shtetëror për të parandaluar devijimin e një pjese të prodhimit në tregun e zi. Përdorimi i kanabisit në publik dhe në prani të të miturve, do të vijojë të mbetet i ndaluar.

Në të njëjtën kohë, u rënduan edhe dënimet për tregti të paligjshme të drogës. Për ata që shkelin ligjin, ka gjobë, nga 50 deri në 100 euro, nëse zbulohet në posedim të një sasie nga 7 deri në 28 gram, nga 300 deri në 500 euro në rast përdorimi para fëmijëve.

Në Evropë situata është e fragmentuar, por në asnjë vend nuk lejohet përdorimi rekreativ i kanabisit. Në Holandë është e paligjshme, por blerja e më pak se 5 g produkti në kafenetë e licencuara nuk ndiqet penalisht.

Malta ka kaluar Luksemburgun, i cili kishte procesin më të avancuar parlamentar në Evropë për të arritur legalizimin. Në Itali u mblodhën 630,000 firma në mbështetje të një referendumi për legalizimin e kultivimit të kanabisit dhe për heqjen e dënimeve me burg për sjellje të ngjashme.

Jashtë kufijve evropianë, Kanadaja, Meksika dhe 18 shtete amerikane kanë miratuar tashmë legjislacion të ngjashëm me atë maltez.

Bëhet fjalë për një ndryshim mjaft të përgjithësuar, që pason vendimin e OKB-së në dhjetor 2020 për të hequr kanabisin nga lista e drogave të dëmshme ose të rrezikshme (Tabela IV e Konventës ë vitit 1961) për “vetitë mjekësore kuruese”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë