Futboll

Mançesteri nuk rinovon me Pol Pogba, në ankand futet edhe Interi

Kur merkatoja e radhës të hapë dyert, me siguri Pol Pogba do të jetë në qendër të saj. Mançester Junajtid, klubi aktual i mesfushorit francez, ka vendosur të mos e ushtrojë opsionin e rinovimit automatik, kështu që kontrata e futbollistit skadon në vitin 2021.

Ish-lojtari i Juventusit është në shitje dhe klubet që pretendojnë ta marrin janë disa, nga PSG dhe Real Madrid, për të ardhur te surpriza Inter. Po, në garë për Pol Pogba është futur edhe klubi zikaltër, por kuptohet që do ta ketë shumë të vështirë ta fitojë këtë ankand për një nga mesfushorët më të fortë në botë.

Pogba nuk e ka fshehur kurrë dashurinë për Juventusin dhe vullnetin për të veshur përsëri fanellën bardhezi, por kushtet ekonomike në këtë moment nuk janë ato më të mirat në klubin torinez. Nga ana tjetër është Real Madrid, që drejtohet nga trajneri Zinedin Zidan. Me siguri dy francezët kanë biseduar mes tyre, madje më parë është thënë se Zidan e ka prenotuar tashmë patriotin e tij. Përveç Realit, në avantazh për Pogba është e PSG, një nga klubet më të pasur të Europës aktualisht, gati për të investuar për një mesfushor klasi.

Sipas “Tuttosport”, ekipi i katërt që pretendon të marrë shërbimet e Pol Pogba, është Interi, madje thuhet sa ka një akord me agjentin e futbollistit Mino Raiola. Klubi zikaltër ka kërkuar informacion për situatën e lojtarit, me të cilin Mançester Junajtid, sipas “Evening News”, ka vendosur të mos rinovojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë