Politike

Mandati i Xhaçkës diskutohet në Kuvend, socialistët kërkojnë kohë të njihen me dosjen e PD

Mandatet

Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet u mblodh këtë të premte për të diskutuar në lidhje me mocionin e dorëzuar nga 14 deputetë të Partisë Demokratike, të cilët kërkojnë shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit të deputetes dhe ministres, Olta Xhaçka.

Kërkesa bazohet te një vendim i Qeverisë që ka shpallur investitor strategjik bashkëshortin e ministres së Jashtme. PD akuzon Olta Xhaçkën se ajo është në konflikt të hapur interesi.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla lexoi kërkesën e dorëzuar, duke shtuar se qëllimi i diskutimeve të Këshillit të Mandateve është dalja në përfundimin nëse çështja plotëson kriteret për t’u dorëzuar nën Gjykatën Kushtetuese, apo jo. Në fund do të jetë kjo gjykatë që do të vendosë për këtë.

LEXO EDHE:
– Bardhi: Burri i ministres Xhaçka, investitor strategjik që mori pagë lufte në pandemi
– PS rrëzon hetimin parlamentar të investimeve strategjike: Cenon pavarësinë e Qeverisë
– Xhaçka: S’jam në konflikt interesi, e ka thënë Gjykata Kushtetuese

Nga deputetët e PS-së, Klotilda Bushka kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me materialet e dorëzuara nga Partia Demokratike, ndërsa kreu i grupit parlamentar të socialistëve tha se Këshillit për Mandatet nuk mund të debatojë, apo hyjë në thelb të kësaj çështjeje.

“Ne duhet të shohim vetëm dokumentacionin dhe provat dhe në fund nuk marrim ne vendim. Vendimi merret në seancë plenare për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Na duhet të verifikojmë dokumentacionin nëse është në përputhje sipas pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës”, tha Balla.

Edhe Balla kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me dokumentacionin, ndërsa nga PD, Enkelejd Alibeaj tha se kërkesa e socialistëve ishte qesharake dhe zhvlerësonte seriozitetin e çështjes.

Bashkë me Alibeajn, edhe Dashnor Sula e deputetët e tjerë të opozitës anëtarë të Këshillit të Mandateve pranuan kërkesën e socialistëve për më shumë kohë, por u kërkuan gjithashtu që në këtë mbledhje të parë të lexohej raporti i relatorit, Saimir Korreshi.

Në fund, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla mbylli mbledhjen me vendimin për të mos e dëgjuar relatimin dhe për t’i dhënë 1 javë kohë socialistëve që të njihen me materialet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë