Në Maqedoninë e Veriut, Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela ka njoftuar dorëheqjen nga drejtimi i partisë, pasi ajo nuk fitoi asnjë post të anëtarit të Këshillit Komunal të Tetovës në zgjedhjet e së shtunës. ASH-ja kishte tre asambleistë nga zgjedhjet lokale të tetorit 2021.
Zoti Sela e njoftoi dorëheqjen në një konferencë shtypi të dielën pas takimit me kryesinë e partisë në Tetovë. Ai vlerëson se rezultati i keq në zgjedhjet për Këshilin Komunal të Tetovës kishte të bënte me “sabotazhe nga brenda partisë me qëllim të dobësimit të saj”. Ai bëri të ditur se nuk do të kandidojë më për kryetar të ASH-së sepse statuti i partisë e mundëson këtë gjë vetëm dy herë, dy madate.
“Tetova nuk është vetëm një qytet apo lagje, megjithatë rezultatet janë të këqia, nën çdo pritshmëri tonën për Tetovën, prandaj jam gati të marr përgjegjësinë dhe nga ky çast jap dorëheqje të parevokueshme si kryetar i partisë”, u shpreh zoti Sela, duke lënë të kuptohet se më pas Kuvendi Qendror i partisë do të vendosë se kush do të jetë kryesues në detyrë i partisë.
Ziadin Sela është themelues i Aleancës për Shqiptarët dhe ligjvënës në parlament. Më parë ka qenë anëtar dhe zyrtar i Partisë Demokratike Shqiptare, por u largua nga kjo parti me një numër anëtarësh të tjerë për të formuar Lëvizjen për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare, e cila më pas u quajt Aleanca për Shqiptarët. ASH-ja është forca e dytë shqiptare në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, pas BDI-së, me gjithsej tetë ligjvënës në parlamentin prej 120 vendesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje