Bota

Maqedonia e Veriut ndalon Astrazenecan për pacientët më të rinj se 60 vjeç

Pas një sëre vendimesh të ngjashme nga vende të tjera europiane, Maqedonia e Veriut ka vendosur që vaksina e Astrazeneca të mos u jepet personave nën moshën 60 vjeç.

Vendimi u mor nga autoritetet shëndetësore pasi shqyrtuan pozicionin e Bordit të Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) mbi sigurinë e vaksinës së kompanisë britano-suedeze. Ministria e Shëndetësisë në vendin fqinj thotë se 15.500 qytetarë të moshuar janë vaksinuar me Astrazeneca dhe deri më tani nuk është raportuar asnjë reagim negativ nga vaksinimi, përveç rastit të raportuar të një vajze 28-vjeçare pas vaksinimit me këtë vaksinë në Serbi.

“Afro 15.500 qytetarë deri më tani janë vaksinuar me këtë vaksinë në vend. Gjatë ditës janë vaksinuar rreth 1000 dhe përveç këtij reagimi tek vajza nuk ka reagim tjetër. Nuk ka kurrfarë reaksioni të padëshiruar që kërkon kujdes. Reagim i padëshiruar mund të përfshijë skuqje të lehtë, dhimbje… nuk janë gjëra që duhet të paraqiten si efekt ose diçka që do të ishte me rëndësi klinike”, deklaroi ministri Filipçe duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.

I pyetur nëse stomatologët do të vaksinohen me ketë vaksinë, ministri i Shëndetësisë tha se kjo do të ndodhë së shpejti por me vaksinat kineze. Pas shqyrtimit të qëndrimit të Bordit të Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) në lidhje me sigurinë e vaksinës, ne kemi vendosur që vaksina të mos u jepet personave më të rinj se 60 vjeç”, tha Filipçe.

Ministri theksoi se për ata që tashmë kanë marrë një dozë të vaksinës Astrazeneca, të cilët janë vaksinuar në Serbi, do të marrin dozën e dytë nga kjo vakinë, pavarësisht moshës.

Kryeministri Zoran Zaev tha pret që rreth 300 mijë vaksina nga prodhues të ndryshëm të mbërrijnë në vend këtë muaj duke shtuar kështu ritmin e vaksinimit masiv. “Presim që më shumë se 300 mijë vaksina të mbërrijnë në prill. Pritet të arrijnë vaksinat e para nga Bashkimi Europian të destinuana për Ballkanin Perëndimor, nga të cilat 100 mijë janë për vendin tonë. Shpresoj që në ditët në vijim ose javën tjetër të arrijnë 20-25 mijë prej tyre, sepse na kanë thënë disa herë se nuk varet nga ne por nga furnizuesi”, tha Zaev.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë