Maqedonia e Veriut pret që të nisë zyrtarisht këtë dhjetor negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe paralelisht me këtë proces të vazhdojë edhe me reformat që janë të domosdoshme për arritjen e synimit që vendi të bëhet pjesë e unionit.
Ka qënë kjo deklarata e zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, i cili ka prezantuar agjendën e qeverisë sa i përket integrimit, por edhe raporteve me shtetet fqinje.
“Në periudhën e ardhshme ne do të përqendrohemi në nisjen e bisedimeve me BE-së dhe besoj se kjo do të ndodhë gjatë kryesimit gjerman me unionin për të shtyrë përpara këtë proces. Besoj se kjo do të ndodh deri në fund të vitit apo në muajin dhjetor. Paralelisht, ne këtu duhet të vazhdojmë me procesin e reformave, ndërsa kemi edhe detyrime tjera që dalin nga metodologjia e re për anëtarësim”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Dimitrov.
Ai është pyetur edhe lidhur me qëndrimin e Bullgarisë apo gjasat që Sofja të bllokojë procesin e integrimit me kushtëzimet për çështjen e gjuhës maqedonase dhe prejardhjes etnike të disa personaliteteve nga e kaluara. Dimitrov tha se nuk beson se Sofja do të bllokojë procesin pasi nuk do të kishte siç tha, asnjë përfitim nga një veprim i tillë.
“Çështja e vetë-përcaktimit dhe vetë-deklarimit në lidhje me popullin maqedonas, të maqedonasve që flasin gjuhën maqedonase, nuk mund të jetë në kundërshtim me parimet dhe vlerat e Bashkimit Europian, përfshirë të drejtën e deklarimit. Gjuha maqedonase është punë e jona dhe kjo çështje është e mbyllur. Bullgaria nuk mund të përfitojë nga komplikimi i të ardhmes europiane të Maqedonisë së Veriut, sidomos kur pason hapja e Europës dhe kthimi i procesit të zgjerimit në agjendën e saj. Nuk do të jetë e lehtë, është një sfidë e madhe, por ne do të përballemi me këtë problem”, ka deklaruar Dimitrov.
Ministri i ri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka thënë ndërkohë se Maqedonia e Veriut është e përcaktuar për të çuar deri në fund zbatimin e dy marrëveshjeve me fqinjët, atë me Bullgarinë për fqinjësi të mirë dhe Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit.
“Një nga prioritetet kryesore do të jetë raportet e fqinjësisë së mirë, me theks të veçantë të dy marrëveshjet. Është e qartë se kishim një ngecje në procesin e bisedimeve për shkak të pandemisë dhe procesit zgjedhor, që kufizoi komunikimin mes dy vendeve, por tani pas zgjedhjes së qeverisë së re pres që të rinisim të gjitha proceset mes dy vendeve por edhe më gjerë”, ka deklaruar shefi shqiptar i diplomacisë në Shkup.
Pavarësisht marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar më 2 gusht të vitit 2017 mes kryeministrave Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, Sofja ka vazhduar të kërcënojë Maqedoninë e Veriut, se në rast se nuk arrihet zgjidhje për gjuhën maqedonase, të cilën e quan “gjuhë të kombinuar mes serbishtes dhe një dialekti të gjuhës bullgare”, atëherë do të bllokojë integrimin në BE. Mosmarrëveshje kanë edhe për disa personalitete historike, në veçanti për Goce Dellçevin, heroin e dy vendeve që ka luftuar kundër Perandorisë Osmane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje