Pas një angazhimi të gjere për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes, Bashkimi Europian duket se përballet sot me momentin e së vertëtës, kur do të marrë një vendim për nisjen e ose jo rë bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dy vendet janë prej më shumë se një viti në pritje të përcaktimit të një date për mbajtjen e konferencës së parë ndër-qeveritare, e cila do të bëjë të mundur hapjen de facto të kapitujve.
Megjithatë, pas dështimit të ndërhyrjes së unionit, Shkupi nuk pret asnjë zhvillim pozitiv nga mbledhja e ministrave të Jashtëm të BE në Luksemburg. Bisedimet duket se mbeten thjesht një formalitet në kushtet që Sofja zyrtare e ka bërë të qartë se vetoja ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut nuk do të hiqet.
Qeveria e vendit fqinj ka njoftuar të hënën se qershori nuk është një dritare e hapur për integrimin e vendit në BE, dhe tashmë pret që bisedimet të vazhdojnë pasi Sllovenia të marrë kryesimin e presidencës së Bashkimin Evropian.
Kjo u konfirmua edhe nga vetë kryeministri Zaev, i cili tha se pret kjo çështje të diskutohet sërish në tetor, kur Këshilli i Europës do të mbajë në Slloveni samitin për Ballkanin Perëndimor.
“ NE BE do të flasin sërish për zgjerimin në 6 tetor. Shpresat atëherë do të jenë më të larta nga faktin se Bullgaria do të ketë një qeveri te re, të zgjedhur nga zgjedhjet e 11 korrikut”, shprehet kryeministri.
Analistët kanë parashikuar se qeveria e ardhshme politike në Sofje, do ti nënshtrohet një presioni më të fortë se qeveria teknike nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore europiane si Gjermania dhe Franca.
“Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të BE-së, ato janë të interesuara të tërheqin Ballkanin Perëndimor në BE si një projekt gjeopolitik për të përfunduar arkitekturën e sigurisë Perëndimore në këtë pjesë të Evropës. Kjo do të thotë se Bullgaria nominalisht i vuri veton Maqedonisë së Veriut, por në thelb i vuri veton interesave amerikane në Ballkanin Perëndimor, dhe me këtë qëllimisht ose pa dijeni në favor të rusëve”, shprehet analisti maqedonas, Petar Atanasov.
Vetoja aktuale e Bullgarisë në pranimin e Maqedonisë i ka lënë zyrtarët e BE-së dhe vendet anëtare përballë një pyetje të vështirë nëse është koha e duhur për të vazhduar përpara vetëm me Shqipërinë. Në thelb, situata duket se mbetet atje ku ishte në fund të presidencës gjermane të BE dhjetorin e kaluar.
Zyrtarë europianë i kanë dorëzuar Sofjes dhe Shkupit një propozim konkret për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dy-palëshe, duke i ulur të dyja vendet në tryezën e negociatave për herë të parë në shumë muaj. Por koha është e kufizuar dhe Bullgaria ka vendosur kushte të tjera shtesë ndaj Shkupit, të cilat nuk janë përfshirë në këtë propozim.
Zaev ka deklaruar vazhdimisht se është i gatshëm të lutet për gjetjen e një zgjidhjeje në Sofje, por nuk është i gatshëm të sakrifikojë identitetin dhe gjuhën maqedonase. Kryeministri pret një ftesë nga Kryeministri i përkohshëm i Bullgarisë Stefan Yanev për të gjetur një zgjidhje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje