Bota

Maqedonia nuk ka më shtretër për pacientët me Covid-19

Me rritjen e rasteve të koronavirusit në ditët e fundit, numri i personave të shtruar në spital  në Maqedoninë e Veriut po rritet ndjeshëm, duke çuar edhe në mbingarkimin e tyre. Mediat raportojnë se pacientët po presin në radhë për t’u shtruar për ditë të tëra pasi spitalet janë të tejmbushura.

Në spitalet e vendit fqinj është raportuar se po trajtohen gjithsej 1740 pacientë, duke lënë vetëm 220 shtretër spitalor të lirë në të gjithë vendin. Mediat në Maqedoni njoftojnë se çdo ditë ka mbi 100 të shtruar të rinj.

Në këto kushte, Ministria e Shëndetësisë po mundohet të rrisë numrin e pacientëve të shëruar, për të liruar  shtretër shtesë dhe po përgatitet për zgjerimin e njësive të kujdesit intens, të cilat po arrijnë kapacitetet.

“Të gjitha spitalet dhe personeli mjekësor janë mobilizuar”, tha të dielën Ministria e Shëndetësisë. Kjo krizë shëndetësore, e shkaktuar nga vala e tretë është më e fuqishmja deri tani dhe është e pranishme në rajon, në tërë Europën. Gjendja është kritike”, theksoi ajo.

Ministria e Shëndetësisë i bëri apel deri të gjithë qytetarëve që të respektojnë masat dhe të japin kontributin e tyre në luftën kundër koronavirusit “për të ndihmuar punonjësve shëndetësorë në këtë luftë rraskapitëse, e cila po zgjat më shumë se një vit.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë