Marash Kumbulla ishte impresionues në fitoren 2-1 të Veronës ndaj Juventusit. Trajneri i tij, Juriç, tha pas ndeshjes se mbrojtësi shqiptar ishte thjesht i shkëlqyer, ndërsa shtypi sportiv italian e ka ngritur në qiell për lojën e nivelit të lartë jo vetëm në mbrojtje, por edhe në goditjet standarde në favor të Veronës. Kumbullës iu anulua një gol nga teknologjia në pjesën e parë, ndërkohë që fitoi penalltinë që i dha fitoren Veronës. Ai dhe Borini ishin lojtarët e ndeshjes, duke lënë në hije shumë nga yjet e Juventusit. Kalimi në një klub të madh europian është vetëm çështje muajsh, në verë futbollisti i Kombëtares shqiptare do të veshë një fanellë më të rëndë dhe ankandi vazhdon.

Kumbulla 7.5 – Pas ndeshjes me Juventusin është edhe më e qartë pse mbrojtësi shqiptar është dëshira e madhe e shumë klubeve të mëdha jo vetëm në Itali. VAR-i i heq gëzimin e golit në pjesën e parë dhe “mallkimi” vazhdon në pjesën e dytë, kur topi i gjuajtur prej tij me kokë përplaset në traversë, i devijuar nga krahu i Bonuçit. Këtë herë VAR-i akordon penallti dhe Verona fiton. Një mbrëmje e madhe për mbrojtësin 20-vjeçar. Ky është vlerësimi që i ka bërë shtypi italian Marash Kumbullës, i cili e ka festuar në mënyrën më të mirë 20-vjetorin e lindjes.
Në stadiumin e Veronës me siguri nuk kanë munguar përfaqësuesit e klubeve të interesuara për shërbimet e mbrojtësit kuqezi. Mes tyre është edhe Juventusi, drejtuesit e të cilët ndoshta janë bindur se ia vlen të investojnë për këtë futbollist. Interi, Napoli dhe Lacio janë gjithashtu në garë, por edhe Mançester Junajtid dhe Çelsi në Angli. Kumbulla është një nga mbrojtësit më të mirë të brezit të tij dhe paraqitja ndaj Juventusit ishte thjesht një konfirmim i potencialit të futbollistit shkodran.
Paraqitja e Kumbullës gjatë këtij sezoni të parë në Serinë A ka qenë konstante. Edhe pse në një moshë shumë të re, ai tregon në fushë një pjekuri për t’u admiruar dhe menjëherë ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha. Shqipëria ka një xhevahir në gjirin e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje