Politike

Marku: Kuvendi i PD, një teatër absurd. Jemi në pikë kritike, po s’ndryshuam, pas 4 vjetësh sërish do humbim

Mark Marku ishte parashikuar të fliste në Kuvendin Kombëtar si drejtues politik i qarkut Lezhë. Por ai nuk u ndje asfare mirë, kur fjala e tij iu duk pa vlere sa kohë që pas mbylljes së fjalimit të gjatë të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, anëtarët e Kuvendit u ftuan të votojnë për statutin dhe Këshillin e ri Kombëtar pa dëgjuar asgjë e as pa nxjerrë konkluzione për atë për të cilën ishin thirrur të flisnin edhe drejtuesit politik; zgjedhjet e 25 Prillit dhe rezultati që mori PD-ja.

Marku tha gjatë fjalës së tij (që u duartrokit në fund) se Kuvendi ishte mbyllur ende pa filluar.

Megjithatë, ai i tha fjalët veta. Marku foli për rritje të PD-së këto zgjedhje, por jo mjaftueshëm për të ndryshuar gjendjen.

 “Është e vërtetë që PD ka marrë numrin më të madh të votave, ka një numër më të madh deputetësh, por është e vërtetë që PD është në pikën më kritike të saj pavarësisht këtij rezultati në dukje të avancuar sepse kundërshtari ynë politik me këto zgjedhje është shndërruar në një regjim politik. Mendoj se anëtarësia e PD, opinioni publik kanë një pritshmëri tjetër nga kjo që ne po bëjmë sot. Mënyra se si po përballët ky Kuvendi është krejtësisht jashtë kontekstit ku ndodhemi…”, tha Marku që përfaqësoi qarkun me rezultatin më të mire për PD-në, pavarësisht analizës zyrtare që konkludoi firma e Gazment Bardhit. “S’mund të bëjë Gaz Bardhi analizën e të tjerëve, kur do bëjë dhe analizën e vet dhe nxjerr që ka realizuar maksimalisht PD-ja pritshmëritë aty ku ka humbur dhe minimalisht aty u ka fituar, në Lezhë apo në Kukës. Është pa sens që ai që është vetë i përfshirë në çështje të bëjë analizën time. S’ka statusin dhe mundësinë, as kryetari dhe as Kryesia, as nënkryetarët…”

Duke huazuar një shprehje të Aurel Plasarit, Marku tha se “ne jemi jashtë kohës politike”

 “Nëse ne nuk kampin kohën politike ne rrezikojmë që pas katër vjetësh të mblidhemi dhe të themi që po na vodhën prapë. Duhet të fillojmë të mendojmë pak më seriozisht… Kur te vjedhin për herë të dytë e ke një farë faji edhe ti, ndaj dhe duhet të mendojmë pak më seriozisht dhe ndihem i fyer se si po shkon kongresi, është teatër absurd kur mbyllet kongresi pa filluar, pra unë flas ndërkohë që bëhet votimi…”

Lidhur me propozimet ne statut, Marku tha se ato janë kot.

“Nuk mendoj se ka çaluar puna tek kryesia, pra kemi një kongres të jashtëzakonshëm për të miratuar gjera të zakonshme në një situatë krejt të jashtëzakonshme…

Me këtë qasje ne e shndërrojmë PD në një gjendje permanente opozitare duke krijuar komoditetin e të qenurit në opozitë, pa perspektivën e ardhjes në pushtet…

Kujt do t’ia mbushim mendjen se na kanë vjedhur zgjedhjet kur ne nuk dolëm një sekonde në protestë…”, tha Marku duke sjelle edhe disa propozime konkrete.

“Mendoj se që PD të vijë në pushtet duhet të hap një proces transformimi të madh, të bëjë një akti rithemelimi dhe kjo bëhet duke pasur një misioni. Cili është misioni? Unë mendoj, rithemelimi i vetvetes dhe i Republikës së Re, që ne e nisëm, kryetari Basha e mbajti për një kohë të gjatë si fjalë kyce të diskursit të vet politik, por që për fat të keq e braktisi. Unë e kam propozuar prej 2012, kur shihja si po degradonim, një akti rithemelimi. Atëherë mbase ishte i nxituar, sot mendoj jemi shumë vonë, por duhet ta bëjmë. Rithemelimi nuk do të thotë shkrirjen e partisë, por është kusht për jetëgjatësinë e saj,

Si parti jetëgjatë e pluralizmit, ne duhet ta bënim një akt rithemelimi edhe sikur të kishim fituar. Partitë tradicionale po shkojnë drejt rrënimit, për shkak të lëvizjeve populiste. Unë mendoj, një nga arsyet pse PD është e pabesueshme si ofertë ndryshimi, është se vetë e refuzon ndryshimin.

Propozoj që në këtë kongres të zakonshëm të merret një vendim, gjë që është e pamundur por gjithsesi ekziston mundësia për të korrigjuar gabimet, të merret një vendim për krijimin e një komisioni për një kongres të jashtëzakonshëm të rithemelimit të PD, me përfaqësues nga të gjithë faktorët brenda e jashtë PD që duan ndryshimin”, tha Marku duke u ndalur më tej

”1- Krijimin e një komisioni rithemelues të PD si edhe me ftesa për kontribute jashtë partisë, por me dashamirës të partisë.

2- Hartimin e një platforme të re e statuti të ri për një funksionim normal të demokracisë në parti… Ne themi jemi parti Demokratike, po nuk jemi fare demokratike, gjithcka e cakton kryetari, kryesia një grup i vogël.

3- Duhet një drejtim tranzicional i partisë deri në një kongres tjetër ku të ndahet drejtimi i partisë nga drejtimi i punës ristrukturuese strategjike të partisë.

4- Kërkoj ribërjen e analizës për zgjedhjet, duke parë vec pengesave legjitime edhe dobësitë tona në fushatë në program dhe afrimin e njerëzve. Duhet të bëjmë një analizë të thellë të problemeve që kemi ne në 30 vite. Ka 30 vjet që nuk jemi parti e parë në vend.

5- Ricaktimi i datës së kongresit ku të nisë një erë etapë e re politike për të gjithë ne. Nuk ka afate mendoj unë, të bëhet ngadalë në mënyrë të mirëmenduar. Vetëm kështu do arrijmë të përballemi me Ramën, të ndërtojmë strategji, të kemi kredibilitet, përndryshe frikë kam nuk e uroj kurrë po ka rrezik që pas 4 vitesh të jemi sërish kështu, do bëjmë prap si viktima…”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë