Ka ndodhur

Marrëveshja, Britania do të sjellë në Shqipëri 1.500 të burgosur

Ministrat e Drejtësisë të Britanisë dhe Shqipërisë, respektivisht, Chris Philp dhe Etilda Gjonaj, kanë miratuar zyrtarisht Marrëveshjen e Transferimit të të Burgosurve në Londër.

Marrëveshja funksionon në të dy mënyrat dhe përfshin dispozita që kriminelët britanikë në burgjet shqiptare të kthehen në MB.

Taksa-paguesit shqiptarë do të paguajnë koston e mbajtjes në burgjet shqiptare, të 1.500 bashkëkombësve të tyre që priten të transferohet nga Britania në institucionet shqiptare të vuajtjes së dënimin. Bëhet fjalë për një marrëveshje me 5 pika mes autoriteteve të të dyja vendeve.

Mes dy vendeve, duhet të nisë në vjeshtë transferimi i shumë të burgosurve shqiptare nga burgjet angleze në ato shqiptare.

Nuk do të ketë lirim të parakohshëm pas transferimit. Të burgosurit do të vuajnë të plotë dënimin e dhënë në Angli në burgjet shqiptare.

Të burgosurit të transferuar i ndalohet hyrja në Britaninë e Madhe. Shqipëria do të paguajë koston e strehimit të burgosurve të transferuar nga Britania e Madhe. Pala britanike do të paguajë vetëm koston e transferimit të tyre me avion.

Sipas Top Channel, në terma ekonomikë, nga kjo marrëveshje përfiton Britania e Madhe, të cilës për të mbajtur 1.500 të dënuarit shqiptarë në burgjet e saj, çdo vit i duhet të shpenzojë mbi 78 milionë stërlina.

Ndërkohë shtetit shqiptar, nëse të gjithë këta të burgosur do të transferohen, çdo vit do t’i duhet të shpenzojë mbi 13 milionë euro, pasi kostoja vjetore e mbajtjes të një të burgosuri në Shqipëri, është mbi 9.000 euro.

Sipas statistikave të ministrisë së Drejtësisë angleze, Shqipëria renditet e para mes shteteve të huaja me numrin më të madh të shtetasve të saj në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, të dënuar për vrasje, trafik droge apo edhe për ngritje të fermave të kanabisit.

Të burgosurit shqiptarë, në mënyrë të shpeshtë, kanë zënë faqet e para të medias angleze pasi përmes telefonave të paligjshëm që mbajnë, publikojnë nga qelitë e burgjeve foto në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë