Politike

Marrëveshja Meta-Berisha, Tabaku: Po përsërisim të njëjtat gabime

Jorida Tabaku, e cila në faqen e saj Facebook ende prezantohet si nënkryetare e PD, ka përcjellë disa qëndrime se si duhet të jetë sot PD-ja.

Para se gjithash, sipas saj, PD nuk duhet të përsërisë gabimet e së shkuarës duke iu referuar marrëveshjes Meta-Berisha.

Pak para zgjedhjeve parlamentare të 2021-it, Tabaku ishte në krah të Lulzim Bashës kur ky i fundit firmosi me Monika Kryemadhin si kryetare e LSI-së.  

E pyetur konkretisht se si e sheh marrëveshjen Meta-Berisha, Tabaku u përgjigj:   “Duke qenë se kam qenë pjesë e opozitës për 8 vite, pa pozicione drejtuese, jam përpjekur ta shoh PD edhe ndoshta pak më ftohtë se ata që kanë qenë në pozicione drejtuese. Gjykoj që kemi bërë gjithmonë gabimin e përsëritjes së të njëjtit gabim. PD sot duhet të jetë ndryshe. PD duhet të jetë sot një forcë moderne, një forcë që jep argumenta, që të përballet me ide. PD sot duhet të bënte opozitë duke ofruar alternativë dhe mendoj që prioriteti kryesor i PD duhet të ishte bashkimi përtej asaj që PD ka dhe përtej asaj që aleatët kanë. Me pak modesti, mund të marr shembullin e Tiranës. Mund të të them që kam qenë drejtuese e shtabit të Halim Kosovës në 2015, kam qenë pjesë e shtabit elektoral në 2011, pjesë e shtabit elektoral të Sokol Olldashit, kam qenë pjesë e komisioneve të numërimit dhe atyre zgjedhore. Nuk ka pasur asnjë fushatë elektorale që të mos kem qenë e përfshirë në një pozicion apo në një tjetër. Të them me siguri absolute që edhe duke mobilizuar të gjithë potencialin opozitar, duhet patjetër që ne duhet t’u flasim më shumë qytetarëve, sesa militantëve të çdo force politike që sot është në opozitë”.

 Cili është gabimi i përsëritur që po bëhet tani?

“Gabimi i përsëritur që po bëhet tani është fokusimi tek përsëritja e të njëjtave gjëra, duke bërë të njëjtat marrëveshje, duke mos u përpjekur për ta zgjeruar grupin e njerëzve që ne u drejtohemi, shtresës së mesme njerëzve pa parti, njerëzve që duan të dëgjojnë alternativë, njerëzit të cilët kanë nevojë për argumente, të rinjtë, që e bëjnë PD edhe më moderne, më fleksibël. Nuk e kam parë këtë akoma të ndodhë…”, tha ajo e ftuar në emisionin “Pa censure” në TVSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë