Politike

Marrëveshje për hetime të përbashkëta policore me Spanjën

Aktiviteti i grupeve kriminale shqiptare është përshkallëzuar vitet e fundit në Spanjë, që tashmë sipas raporteve të autoriteteve vendase kanë ngritur baza të mirëfillta për trafikun e kokainës, apo edhe kultivimin e kanabisit.

Shtimi i këtij aktiviteti ka nxitur Madridin që të kërkojë një seri marrëveshjesh me Shqipërinë, ku e radhës ishte në fushën e bashkëpunimit hetimor në nivel policish.

Marrëveshja u nënshkrua këtë të hënë në Tiranë mes ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe nga Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Alvaro Renedo Zalba.

Marrëveshja krijon një grupi të përbashkët hetimi në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar duke përdorur instrumentet e inteligjencës policore dhe hetimit që të dy vendet vlerësojnë të përshtatshme.

Në shtator të vitit të kaluar, Qeveria shqiptare miratoi edhe marrëveshjen e ekstradimit mes dy vendeve, që ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e cilësoi një sinjal i qartë për botën e krimit.

“Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje eliminohet kjo pengesë ligjore dhe tashmë me Mbretërinë e Spanjës, autoritetet tona gjyqësore do të lejojnë ekstradimin reciprok të shtetasve shqiptarë në drejtim të Spanjës dhe anasjelltas”, tha Manja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë