Mario Baloteli ishte titullar në ndeshjen me Poloninë, ku Italia barazoi 1-1. Paraqitja e sulmuesit ishte tejet zhgënjyese dhe kritikat për të kanë qenë të shumta. Për ndeshjen me Portugalinë do të jetë jashtë 23-shes së Mançinit, pasi ka një problem muskulor, por edhe sepse nuk është në nivelin e pritshëm nga stafi i Italisë. Trajneri Mançini ka menduar të aktivizojë Imobilen titullar, të mbështetur nga Kieza dhe Bonaventura, që ka fituar balotazhin me Berardin.
Pas Arrigo Sakit, i cili e sulmoi drejtpërdrejt Mario Balotelin se nuk mjaftojnë muskujt, sepse në futboll ka më shumë rëndësi inteligjenca, është ish-sulmuesi i Juventusit dhe presidenti i Federatës Polake të Futbollit, Zbigniev Boniek, që “djeg” sulmuesin e Italisë. “Do të doja një kombëtare si kjo e Italisë, me shumë lojtarë të mirë dhe të fortë, por si ka mundësi që ata japin 50-60% të asaj që japin me klubet e tyre? Fola me Sakin pas ndeshjes dhe ishim dakord për faktin që Baloteli nuk është i përgatitur. Saki e kishte fjalën për inteligjencën futbollistike, kur tha se duhet inteligjencë. Nuk është gati për ndeshje të tilla, duket sikur është 15 kg mbi peshë. Një profesionist nuk mund të jetë në kushte të tilla, sepse nuk duhet për asgjë”, – tha Boniek për “Radio Rai”.
Në Itali shtypi nuk ka dashur ta trajtojë si çështje atë çfarë po ndodh me Balotelin, pasi ai ka një shqetësim fizik dhe nuk duhet të rrezikohet duke luajtur titullar. Por sulmuesi është shumë larg pritshmërive. Trajneri Mançini ka vendosur ta mbajë në grup edhe për ndeshjen me Portugalinë, duke qenë se e konsideron një element të rëndësishëm të ciklit të ri që synon të hapë tek Italia. Baloteli do të jetë në tribunë, bashkë me Biragin, Pelegrinin (të dy titullarë ndaj Polonisë), Xaniolon, Kranjon, Ruganin dhe Xapakostën. Mançini ka zgjedhur të luajë me skemën 4-3-3, ku në sulm do të jenë Imobile, Kieza dhe Bonaventura. Në mesfushë, në krah të Zhorzhinjos, pritet të luajnë Galiardini dhe Benasi. Në mbrojtje konfirmohet dyshja qendrore Bonuçi-Kielini, Laxari në të djathtë dhe njëri mes Krishitos dhe Emerson Palmierit në të majtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje