Futboll

Mateus hap plagën e Maradonës: S’ishte penallti ajo e finales së ’90-s

Kanë kaluar 30 vjet nga finalja Gjermani-Argjentinë e Botërorit të 1990-ës, i zhvilluar në Itali. Ende diskutohet për atë penallti të kthyer në gol nga Andreas Brehme që u dha trofeun gjermanëve. Të gjithë lojtarët argjentinas atë ditë e kanë mohuar faullin e Roberto Sensinit ndaj Rudi Fëlerit, që arbitri Edgardo Kodesal, një meksikan me origjinë uruguaiane, e konsideroi penallti. E pranon që nuk ishte penallti edhe një nga ata që përfituan nga ai vendim i arbitrit, Lotar Mateus, duke folur për “La Nacion”.

“Isha në një pozicion shumë të mirë për ta parë atë rast. Pashë që kishte një kontakt, që për mua nuk ishte i mjaftueshëm për penallti. Në një ndeshje të tillë, nëse jepet një penallti, arbitri duhet të jetë i sigurt 100% se faulli është i qartë. Për mua nuk ishte një faull i tillë, por nuk besoj se Kodesal e ka bërë me qëllim. Ndoshta nga pozicioni i tij e ka parë ndryshe”, – ka deklaruar kapiteni i Gjermanisë në atë ndeshje, duke hapur kështu një plagë të vjetër të argjentinasve dhe veçanërisht të Maradonës.

Momenti i penalltisë dhe ekzekutimi i saj nga Brehme. Gazeta Si, 17 qershor 2020

“Topi i Artë 1990” ka shpjeguar edhe pse nuk e gjuajti ai penalltinë vendimtare për titullin e tretë botëror të Gjermanisë: “E gjuajti Brehme atë penallti, sepse unë vendosa të mos gjuaja. Kisha problem me njërën këpucë, ishte prishur. Për pjesën e dytë i ndërrova këpucët dhe nuk ndihesha i sigurt me këpucët e reja, prandaj dhe vendosa të mos gjuaja unë”, – sqaron Mateus.

Arbitri i finales së “Itali 1990”, Kodesal, u bë protagonist edhe për një rast penalltie të padhënë për Argjentinën. Argjentinasit kanë reklamuar një faull të Mateusit ndaj Gabriel Kalderon, u cili rreth një muaj më parë e ka kujtuar atë moment me një mesazh drejtuar arbitrit: “Tani i kërkoj Kodesal, me gjithë respektin, një gjë të vetme: të jetë i ndershëm dhe të paktën të pranojë se ka gabuar dhe i ka hequr Argjentinës mundësinë për të qenë kampione e botës në Itali”, – shkruante Kalderon.

Kurse Lotar Mateus ka preferuar ta kalojë këtë episod me një batutë. “Penallti ndaj Kalderonit? Kush, unë? Seriozisht e keni? Nuk mbaj mend gjë, vërtet. Por, nëse Argjentina nuk na sulmoi, si mund të fitonte një penallti pa vënë këmbët në zonën tonë?”

Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përktheu: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë