Futboll

“Mateus te Bajerni? As si kopështar”. Vjen hakmarrja ironike e legjendës gjermane

Në 2002-shin, presidenti i atëhershëm i Bajernit të Mynihut kishte thënë: “derisa unë dhe Rumenige të kemi fuqinë për të marrë vendime, Lotar Mateus në klubin tonë nuk do të bëjë pjesë as si kopështar”. Dhe 20 vjet më pas vjen përgjigja e ish-mesfushorit të famshëm.

Ironi, edhe pse me vonesë. Lotar Mateus ka reaguar ndaj deklaratave të dikurshme të Uli Hënesit, kur ai ishte president i bavarezëve. Hënes në atë kohë nuk pranonte kritikat e Mateusit, sipas tij, të pabaza. “Lotar me ne nuk do të jetë as kopështar i stadiumit”, – tha Hënes për lojtarin që ka më shumë ndeshje me Gjermaninë, plot 150, si dhe 408 me Bajernin dhe 100 gola të shënuar. Pas 20 vitesh Mateus është fotografuar pikërisht duke korrur barin e “Allianz Arena”.

Lotar Mateus, ish-mesfushori legjendar gjerman. Gazeta Si, 4 mars 2021

Është vetëm një përgjigje ironike, jo një thumb ndaj Hënesit. Fotoja e tij në versionin kopështar është publikuar në kopertinën e revistës zyrtare të Bajernit të Mynihut, ndërsa në brendësi është edhe intervista e ish-mesfushorit.

“Nga gjithë zënkat me drejtuesit e Bajernit, ajo deklaratë e Hënesit më ka goditur më shumë, – shpjegon Mateus. – Gjatë viteve i kemi shkruar njëri-tjetrit shumë herë, e kemi për zemër njëri-tjetrin dhe paqja erdhi shpejt. Në fund të fundit, donim të dy të mirën e Bajernit. Me atë deklaratë vetëm qeshim të dy. Uli më ka thënë se për atë deklaratë i ka ardhur atij keq të parit një ditë pasi e kishte thënë”.

Mateus në faqen e parë të revistës zyrtare të Bajernit. Gazeta Si, 4 mars 2021

Hënes sot nuk është më president i Bajernit, edhe pse bën pjesë në këshillin e administratës. Ai nuk e ka humbur fuqinë brenda klubit bavarez, aq sa para se të linte Mançester Sitin për të shkuar te Bajerni, Leroi Sane vendosi të shkonte më parë në shtëpinë e Hënesit dhe të fliste me të. Rumenige është administrator i deleguar dhe që të dy i kanë lënë mënjanë kritikat e Mateusit, duke e lejuar të punojë në “Allianz Arena”, të paktën si kopështar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë