E hëna e 18 majit dukej si dita e parë e nisjes së një sezoni, kur lojtarët zakonisht vijnë mbi peshë, por e dinë shumë mirë se kanë kohë mjaftueshëm për të hequr kilogramët e tepërt. Këtë herë pushimi ka qenë më i gjatë se ai midis dy sezoneve dhe rikthimi në fushë ishte shumë i veçantë. Me siguri asnjë futbollisti nuk i ka ndodhur të qëndrojë i mbyllur në shtëpi për gati dy muaj.

Ishte dita e parë e futbollit post koronavirus dhe ritakimi me fushën mbartte emocione të tjera. Një gëzim i frenuar në fakt për shkak të rregullave që duhen respektuar në këtë periudhë, kur skuadrat e Superiores të parat dhe pastaj ato të kategorive të tjera, po përgatisin fazën finale të sezonit. Janë disa llogari që duhen mbyllur në periudhën qershor-korrik: titulli kampion, skuadrat që shkojnë në kupat e Europës, ato që bien nga elita dhe ato që vijnë nga Kategoria e Parë.
Futbolli është rikthyer vërtet ndryshe, me maska, matje temperature para seancës stërvitore dhe distancim. Janë kushtet për stërvitje, ato të ndeshjeve do të jenë të tjera, ndërsa tifozët do të mbeten jashtë stadiumeve për një kohë të gjatë. Tirana, ekipi kryesues i Superiores, është treguar ndër më seriozët në këtë situatë, duke zbatuar me rigorozitet rregullat. Në fillim matja e temperaturës për të gjithë futbollistët bardheblu, të cilët, ndryshe nga kolegët e tyre, kanë qenë me maska të personalizuara.

Drejtuesit e klubeve janë munduar të sajojnë ndonjë fjalim motivues para ekipit, para se lojtarët të fillonin stërvitjen. Kryeqyteti është më i populluari nga ekipet e futbollit, pasi veç Tiranës, Partizanit e Dinamos, këtu stërviten edhe shumë të tjerë. Laçi, që zakonisht stërvitet në Kamzë, është zhvendosur në Pezë-Helmës, ku stërvitet edhe Dinamo e disa skuadra të tjera të Kategorisë së Parë. Ndoshta kjo e bën pak të rrezikshme situatën në këtë moment.

Kukësi, një ekip pa fushë e stadium, ka zgjedhur të stërvitet në Elbasan, ndërsa Skënderbeu i është kthyer rezidencës së tij në Durrës. Topi ka nisur të lëvizë, në pritje të zyrtarizimit të rifillimit të aktivitetit edhe nga qeveria. Do jetë një fund sezoni ndryshe, në pikun e vapës, mes druajtjes së ndonjë infektimi dhe frikës për të mos pësuar ndonjë dëmtim të rëndë. Gjithsesi, tifozët janë të etur dhe mezi presin të ndjekin skuadrat e zemrës nga ekrani i televizorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje