Bota

Mbi 15 mijë raste ditore, Italia shton masat kufizuese

Italia po regjistron prej dy javësh mbi 10 mijë raste në ditë, duke çuar sërish në ngarkimin e sistemit shëndetësor dhe duke detyruar qeverinë e sapo formuar të Mario Draghit të mendojë fuqizimin e masave kufizuese.

Rreth gjysma e rajoneve të Italisë pritet të përballen me kufizime më të ashpra Covid- 19 këtë javë, pasi ato rrezikojnë të kthehen në zona të portokalli ose të kuqe. Ekspertët kanë kërkuar fuqizimin e masave jo vetëm për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, por edhe shqetësimeve për përhapjen e varianteve të reja.

Ministria e shëndetësisë njoftoi masa më të rrepta anti-koronavirus për tre rajone, megjithëse i kurseu qytetet më të mëdha të Italisë, Romën dhe Milano, nga më shumë kufizime. Rajoni i Campania, i cili përfshin Napolin, së bashku me Emilia Romagna dhe Molisen do të kalojnë në kategorinë e zonave me rrezik të mesëm ose “zonave portokalli”.

Po ashtu, Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza pritet të shtojë ede numrin e zonave të kuqe, ku të gjitha restorantet, baret dhe dyqanet jo-thelbësore janë të mbyllura. Ndërkohë, në zonat portokalli, dyqanet mund të qendrojnë hapur por restorantet dhe baret duhet të qëndrojnë të mbyllura.

Vendi fqinj regjistroi thuajse 15 mijë raste të reja në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin në thuajse 2.8 milionë.

Në rajonin qendror të Lacios, të gjitha restorantet dhe baret janë mbyllur, me përjashtim të atyre që ofrojnë ushqim me vete ose e shpërndajnë atë nëpër shtëpi. Gjithashtu, të mbyllura janë edhe dyqanet që nuk janë të nevojshme.

Ish-kryeministri italian, Giuseppe Conte nxori një dekret nëntorin e kaluar, që përforconte sistemin italian të mbrojtjes me tre nivele, duke i klasifikuar rajonet në zona me ngjyra, në bazë të indeksit të rrezikut./ANSA/


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë