Bota

Mbi 24,000 të vdekur dhe 80,052 të plagosur nga tërmeti në Turqi dhe Siri, vijojnë operacionet e shpëtimit

Numri i të vdekurve nga tërmetet në Turqi dhe Siri ka kaluar tashmë 24,178, ndërsa 80,052 janë plagosur.

Zyrtarët turq dhe mjekët thonë se 20,665 njerëz kanë vdekur atje për shkak të tërmetit, ndërsa ka pasur 3,513,të vdekur në Siri, sipas agjencisë së lajmeve AFP, duke e çuar totalin aktual në 22,368.

Ndërkohë, tre vajza mes moshës 5 dhe 10 vjeç u gjetën të gjalla nën rrënoja gjatë një operacioni kërkim-shpëtimi në Kahramanmaras të enjten, sipas CNN Turk.

Një nga vajzat u nxor nga nën rrënoja në orën e 89-të që prej goditjes së tërmetit.

“Vajza dukej se kishte vetëm gërvishtje të lehta”, tha gazetari i CNN Turk, duke e përshkruar operacionin si një “operacion shpëtimi mrekullie”.

Dy vajzat e tjera janë në komunikim me ekipin e kërkim-shpëtimit, por janë ende të bllokuara, ndërsa përpjekjet për t’i nxjerrë vazhdojnë.

Qindra mijëra njerëz në Siri kanë mbetur të pastrehë në mes të dimrit pas tërmeteve vdekjeprurëse të së hënës. Në të gjithë Sirinë veriperëndimore, ku temperaturat janë nën zero, shumë njerëz po qëndrojnë në strehimore të improvizuara, xhami dhe në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Mousa Zidane, një vullnetar me “Helmetat e Bardha”, të njohur zyrtarisht si Mbrojtja Civile e Sirisë, i tha CNN se si pasojë e tërmeteve, “dhjetëra mijëra familje janë aktualisht të pastreha në të gjithë Sirinë veriperëndimore”.

“Qindra familje në Idlib po flenë në makinat e tyre, parqet publike dhe rrugë”, pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan, tha Zidane. “Edhe ata që kanë ende shtëpi, kanë frikë të kalojnë natën brenda, ata për një kohë të shkurtër shkojnë në shtëpitë e tyre gjatë ditës, pastaj largohen natën nga frika.

Zidane tha se moti i ftohtë po e shton katastrofën, pasi ekipet e shpëtimit përpiqen të nxjerrin njerëzit nga nën rrënoja.

“Ne kemi nevojë për ndihmë për të kërkuar të mbijetuar dhe për të tërhequr të vdekurit nga ndërtesat e shembura. Ne kemi nevojë urgjente për të ndihmuar familjet e pastreha duke siguruar strehimore, ushqim, rroba dhe gjëra thelbësore”, tha Zidane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë