Mbi 300 persona kanë humbur jetën dhe rreth 1.800 të tjerë janë plagosur pasi një tërmet i fuqishëm tronditi të shtunën pjesën jug-perëndimore të Haitit, duke shkatërruar kisha, hotele, shkolla dhe shtëpi, në atë që konsiderohet tragjedia e radhës në shtetin e varfër të Karaibeve.
Tërmeti me magnitudë 7.2 u pasua nga një seri lëkundjesh të tjera, epiqendra e të cilave u lokalizua rreth 150 kilometra në perëndim të kryeqytetit Port au Prince dhe në një thellësi prej 10 kilometrash nën tokë, bëri të ditur Observatori Gjeologjik amerikan.
Kjo e bëri tërmetin, që u ndje deri në Kubë dhe Xhamajkë, më të gjerë dhe më të cekët se ai i 11 viteve më parë, që vrau dhjetëra persona në ishull.
Sidoqoftë, këtë herë lëkundjet u regjistruan larg nga kryeqyteti. Ato u ndjenë edhe në Port au Prince, por nuk shkaktuan dëme të mëdha.
Shërbimet vendase të emergjencës kanë deklaruar se krahas bilancit të viktimave dhe atij të të plagosurve, shumë persona të tjerë konsiderohen të humbur.
Operacionet paraprake të shpëtimit, të realizuara nga ekipet e kërkim-shpëtimit, të ndihmuara nga banorët mundësuan rikuperimin e shumë personave të ndodhur nën gërmadha.
Në tërësi, rreth 950 shtëpi, 7 kisha, 2 hotele dhe 3 shkolla janë shkatërruar. Ndërsa mbi 720 shtëpi të tjera, 1 burg, 3 qendra shëndetësore dhe 7 shkolla janë dëmtuar.
Në porte, aeroport dhe në infrastrukturën e telekomunikacionit nuk ka pasur dëme të mëdha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje