Futboll

Mbijetesa/ Skënderbeu përmbys Bylisin, tension dhe kartonë pa fund në Fier

Kanë përfunduar dy ndeshjet e para të javës së 30-të të Superiores, ku mes tyre janë ndeshur 4 skuadrat që luftojnë për qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar. Skënderbeu dhe Apolonia kanë fituar me të njëjtin rezultat, 2-1, përkatësisht ndaj Bylisit dhe Kastriotit, duke mbajtur gjallë shpresat për të mbijetuar.

Skënderbeu ka mundur dhe i është afruar me 3 pikë Bylisit rival, duke e shtuar presionin mbi të (29 pikë ka Bylisi dhe 26 Skënderbeu). Korçarët e komplikuan ndeshjen, teksa pësuan një gol, por e përmbysën situatën në fundin e pjesës së parë me 2 gola brenda 2 minutash. Ishte një ndeshje, që skuadra e Memellit duhej ta fitonte patjetër dhe ia doli. Në sfidat direkte me ballshiotët ajo është e favorizuar, sepse ka 3 fitore dhe 1 humbje.

Një ndeshje mjaft e tensionuar është zhvilluar në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, ku janë dhënë 14 kartonë të verdhë dhe një i kuq. Apolonia, edhe pse vetëm matematika e mban në lojë (ka 20 pikë), nuk i ka dorëzuar “armët” dhe ka fituar falë një dygolëshi të sulmuesit Mario Gjata. Krutanët vetëm sa arritën ta ngushtonin rezultatin, pasi në fund dolën të humbur.

Rreth minutës së 70-të të ndeshjes, ka pasur tension mes lojtarëve dhe në fushë është futur edhe trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu. Krutanët tashmë ndjejnë rrezikun e rënies dhe ndeshjen e radhës e kanë me një kundërshtar direkt, me Skënderbeun.

Superiore, java e 30-të
Apolonia-Kastrioti 2-1
Skënderbeu-Bylis 2-1
Ora 16:00
Laçi-Partizani
Kukësi-Teuta
Tirana-Vllaznia


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë