Grupi parlamentar i Partisë Demokratike u mblodh një orë para nisjes së seancës parlamentare dhe ashtu siç kishte paralajmëruar, i pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe Sali Berisha.
Mbledhja u thirr nga Enkelejd Alibeaj, që ftoi në këtë mbledhje edhe të përjashtuarit e mëhershëm, me përjashtim të Sali Berishës.
Në krye të tryezës së mbledhjes u ul Enkelejd Alibeaj, me në krah të djathtë Ervin Salianjin dhe në të majtë Luçiano Boçin, që mori pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha.
Menjëherë sapo nisi mbledhja, fjalën e mori Berisha. Ai i kërkoi Alibeajt, Salianjit dhe gjithë të tjerëve që të njohin realitetin dhe të pranojnë Komisionin e Rithemelimit si organ drejtues i PD-së. Përplasja Berisha-Alibeaj ishte e pashmangshme.



Enkelejd Alibeaj: Ju jeni i paftuar këtu, nuk je në grup. Prezenca juaj në këtë sallë është një sinjal i brishtë për demokracinë e brendshme në parti. Berisha me prezencën tuaj ju po zhvlerësoni vendimet e organeve të kësaj partie. Ju jeni i përjashtuar nga grupi parlamentar dhe çdo forum.
Sali Berisha: Zoti Alibeaj, më vjen keq për këtë qëndrim, pasi ua kam thënë edhe pak ditë më parë dhe po ua përsëris, unë ju respektoj si kryetar grupi, por çdo organ vendimmarrës në këtë parti ka qenë ilegjitim pas 11 dhjetorit. I vetmi organ që merr vendime është Komisioni i Rithemelimit.
Mbledhja nuk zgjati shumë. I pari që doli para mediave për të folur dhe konfirmuar përplasjen me Berishën brenda në sallë, ishte Enkelejd Alibeaj. Sa për detaj, dalja ishte nga dera kryesore e selisë, që ka qëndruar e mbyllur që para 8 janarit.
“Ne sot duhet të gjejmë spiralen e bashkimit. Sot ishte mbledhje e grupit parlamentar të PD-së, ku Berisha nuk është pjesë. Partia Demokratike nuk mund të bashkohet me një non grata”, tha ai.
Pa e përfunduar mirë fjalën në të njëjtën derë shfaqet Berisha dhe ‘i vjedh’ vëmendjen e medias. Berisha e minimizoi përplasjen.
“Po flitet për një rivalitet që nuk ekziston. Luftë që nuk ekziston. Unë jam pjesë e grupit dhe ky është vendim i bazuar në të gjitha ligjet e vendit dhe ligjet e Partisë Demokratike”, tha Berisha.
Një përgjigje e dha edhe për kërkesën e vazhdueshme të mbështetësve të Bashës që të tërhiqet.
“Të krahasosh fituesin me humbësin është një gabim i madh. Mbledhje të grupit do të ketë me patjetër, grupi është organ i PD që do të bëjë debate për gjithçka. Është një rast unik që PD të bashkohet edhe në diversitetin e saj. Ka një diversitet, i cili e bën edhe më demokratike Partinë Demokratike. Cilido që mendon (se Berisha nuk duhet të jetë pjesë e grupit) bën zgjedhjen e tij, por demokratët kanë folur për këtë më 11 dhjetor, 18 dhjetor dhe 6 mars”, shtoi ai.
Përjashtimin nga grupi e cilësoi si kombinacion antiligjor Basha-Rama dhe këtu i rrëshket goja dhe shkel premtimin që nuk do të quante më “Lul Brava”, ish-kreun e PD-së.
“Kombinacionet Basha-Rama marrin fund. Janë kombinacione antiligjore, që marrin fund. Është vendim nul. Anëtarësia e partisë e gjykoi atë dhe i dha Bravës…, Lul Bashës më falni, më 11 dhjetor. Zoti Basha dha dorëheqjen”, shtoi Berisha.
Ish-kryeministri u shpreh se aktualisht PD nuk ka kryetar, se forumet do të jenë të lira që të vendosin nëse e duan, apo jo që Berisha të jetë anëtar i grupit parlamentar, por pasi të zgjidhen nga mbledhja e radhës e Kuvendit Kombëtar.
Berisha tha se PD është në proces rithemelimi dhe përgjatë këtij procesi, Enkelejd Alibeaj mund të vazhdojë të drejtojë grupin parlamentar të partisë.
Mbrëmjen e së mërkurës, Komisioni i Rithemelimit, që ka marrë nën kontroll zyrën e medias së PD-së, shpërndau një njoftim për mediat, ku u kërkonte që të kishin parasysh se Enkelejd Alibeaj nuk ishte kryetar i komanduar i PD-së, as Gazment Bardhi Sekretar i Përgjithshëm i partisë dhe as Jorida Tabaku nënkryetare partie.
Rithemelimi, përmes njoftimit të shpërndarë nga Floriana Garo thotë se Bardhi e Tabaku janë vetëm deputetë, ndërsa Alibeaj është deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje