Nuk pritej shumë nga mbledhja maratonë disa orëshe e Këshillit Politik ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Kjo për arsyen e thjesht se palët, si para mbledhjes ashtu edhe gjatë saj nuk lëvizën nga qëndrimet e tyre.
Në fund të mbledhjes, kryeministri Edi Rama u duk me i qetë për mediat edhe pse rezultati ishte larg.
“Diskutimi ishte i gjatë, interesant. Ne sigurisht që nuk thamë ndonjë gjë të re. Gjëra që ju i dini. Ka një realitet politik i cili imponon një qasje që për ne është e diktuar si forca më e madhe, por edhe detyrimin të krijojmë një proces dhe të arrijmë në një rezultat ku nëse të gjitha palët nuk janë 100% dakord së paku secila nga palët të ketë pjesën e vet. Dhe në këtë aspekt mendoj që është e rëndësishme që të vazhdojmë të diskutojmë.
Ne ishim gati të vijonin diskutimin pa ndërprerje dmth që nesër. Por opozita kërkoi kohë. Është në të drejtën e tyre, por ndërkohe kemi një kalendar i cili ka një kufi të përcaktuar që është fundi i këtij sesioni parlamentar ose e thënë ndryshe fundi i muajit korrik”, tha Rama për mediat. Kryeministri nënvizoi se hapja e listave nuk është më një variant, por angazhim nga ana e PS-së.
“Është një proces me dy korsi kur sidoqoftë stacioni është 31 korriku…”, tha ai.
Për kryeministrin nuk ka rëndësi as përfaqësimi kur u pyet nëse do të vijojë të jetë ai në mbledhjet e Këshillit Politik.
“Për mua është e rëndësishme përmbajtja e çështjes e jo përmbajtja e delegacioneve. Mjafton që kush vjen këtu të jetë me mandat përfaqësimi të opozitës. Nuk ka problem për mua. Nuk bën asnjë dallim se është Bardhi apo Basha”, shtoi ai.
Rama tha se nuk i ka votat për të kaluar marrëveshjen dhe se për këtë arsye ai do të punojë që të marrë një mbështetje të mjaftueshme, që nuk përfshin gjithë opozitën parlamentare.
Rama foli për votat dhe për kohën që ka limite, por opozita thotë se e vetmja çështje për të cilën nuk duhet të diskutohet është kalimi sa më parë i marrëveshjes së 5 Qershorit pa ndryshime në Kuvend.
Gazmend Bardhi i mandatuari i Bashës në këtë tryezë tha pas takimit se, marrëveshja e 5 qershorit nuk mund të hidhet në kosh dhe se PS-ja përmes propozimeve të reja po kërkon të rihapë këtë cështje.
“PS kërkon të rihapë çështje për të cilat ne kemi rënë dakord… Ne do të duhet t’i qëndrojmë marrëveshjes.
I kemi kërkuar kryeministrit se kur do ta kalojë për miratim pa ndryshim marrëveshjen. Nuk ka ende një datë se kur do ta kalojë. Për këtë i kemi dhënë kohe kryeministrit dhe presim një përgjigje prej tyre”, tha Bardhi…
…Në fillim të mbledhjes, Damian Gjiknuri, si bashkëkryetar i këtij Këshilli ka mbajtur te njëjtin qëndrim si më parë, se hapja e listave me skemën aktuale zgjedhore krijon probleme të mëdha administrimi.
Megjithatë, Gjiknuri u shpreh optimist në gjetjen e një zgjidhje në aspektin teknik që do të mundësonte një menaxhim të sigurt të procesit.
Ai është shprehur gjithashtu se PS-ja nuk është kundër heqjes së koalicioneve, porse ndryshon vetëm formula e tyre.
Këshilli Politik u mblodh për të diskutuar mbi propozimin e 28 deputetëve të opozitës parlamentare për ndryshimin e dy neneve në Kushtetutë.
Me ndryshimet ne Kushtetutë, një grup deputetësh të kryesuar nga Myslim Murrizi, synojnë të heqin koalicionet parazgjedhore, vendosjen e një pragu kombëtar dhe hapjen e pjesshme të listave.
Mbledhja e Këshillit Politik vjen pas kërkesës së PD-së për të diskutuar edhe ato çështje që dalin jashtë Marrëveshjes së 5 Qershorit.
PD dhe opozita kanë argumentuar se ndryshimet e njëanshme kushtetuese e prishin paktin e 5 Qershorit, pasi, sipas saj, koalicionet parazgjedhore janë pjesë e draftit të dakordësuar me ndërmjetësim ndërkombëtar.
Ndërsa PS-ja në këtë takim u kap tek teknikalitetet dhe konkretisht tek fakti se në cilën pikë, listat e hapura prekin marrëveshjen e dakordësuar.
Gjatë mbledhjes përfaqësuesit e PD-së, janë shprehur se, në pikën 12 të marreveshjes së 5 qershorit është parashikuar se, shumë nga ndryshimet që lidhen me sistemin e votimit dhe administrimit do të kryhen pas zgjedhjeve të 2021. Dhe këtu, sipas saj, bie ndesh edhe kërkesa e PS-së për hapjen e listave
Opozita kërkon gjithashtu që pavarësisht këtij diskutimi Marrëveshja e 5 Qershorit duhet të miratohet pa asnjë ndryshim, që do të thotë nga ana e saj se, çështjet e dakordësuara aty nuk mund të rihapen
Në mes të këtij debati qëndron edhe Myslim Murrizi, i cili sot i është bashkuar Rudina Hajdarit në mbledhje, për të përforcuar draftin e tyre.
Pas takimit, Murrizi tha se ishte aty në emër të 28 deputetëve të opozitës parlamentare, nuk tërhiqej nga propozimet e shkruara dhe se vetë ai nuk do të merrte pjesë në asnjë “pazar” që do të bënin dy partitë e mëdha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)






Lini një Përgjigje