Futboll

Mbrëmje shterpë në Champions, Nojer bllokon sulmin e Liverpulit

Magjia e Champions League ka vazhduar me dy sfidat e radhës të fazës së 1/8-ve, Liverpul-Bajern Mynih dhe Lion-Barcelona. Pa dyshim që e gjithë vëmendja ishte e përqendruar në “Anfield Road”, ku Liverpuli i Jurgen Klop përballej me Bajernin. Ndeshja ishte spektakolare, ashtu siç mund të mendohej, por nuk ka prodhuar gola. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në sfidën e luajtur në Lion, që gjithashtu u mbyll 0-0. Edhe pse në fushë zbritën sulmuesit më të mirë në planet, Lionel Mesi, Robert Levandovski, Mohamed Salah, Roberto Firmino, Luis Suarez apo Sadio Mane, në këto dy ndeshje nuk u shënua asnjë gol.

Liverpuli nisej favorit ndaj Bajernit, duke qenë se luante në fushën e vet. Dhe rastet në fakt nuk kanë munguar, por Salah dhe Mane janë ndaluar nga portiere Manuel Nojer, në një formë shumë të mirë. Por edhe bavarezët patën rastet e tyre në këtë ndeshje. Trajneri Robert Kovaç preferoi të rinjtë Koman dhe Gnabri në krah të Levandovskit, kurse Riberi u aktivizua në fundin e ndeshjes. Ishte një ndeshje, ku priteshin gola, por ka ndodhur e kundërta. Kualifikimin për në çerekfinale e vendos ndeshja e kthimit në Mynih, ku Bajerni, edhe pse ka barazuar në fushë kundërshtare, duhet të jetë shumë i kujdesshëm, sepse edhe një barazim me gola do ta nxirrte jashtë loje.

Formacionet fillestare të Liverpul-Bajern Mynih

Pa gola është mbyllur edhe ndeshja në Lion, ku Barcelona, pavarësisht disa rasteve për shënim, nuk ia ka dalë ta gjejë rrugën e rrjetës. Trajneri Valverde la në stol Koutinjon në këtë ndeshje, duke aktivizuar Dembele në treshen e sulmit, bashkë me Mesin dhe Suarezin. Braziliani u fut në fushë në pjesën e dytë, por sërish katalanasit nuk mund të shënonin dhe tani gjithçka vendoset në ndeshjen e kthimit, ku sigurisht Barcelona mbetet favorite absolute.

Ndeshjet e para të 1/8-ve mbyllen me ndeshjet e së mërkurës, Shalke 04-Mançester Siti dhe Atletiko Madrid-Juventus. Pritet që të paktën Kristiano Ronaldo ta gjejë golin në Champions.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë