Është mbyllur me pak surpriza dhe ndonjë afrim të mirë merkatoja europiane, përveç Portugalisë, ku vazhdon ende. Në Premier Ligë, përveç Kavanit te Mançester Junajtid, një lëvizje interesante është ajo e mesfushorit ganez Tomas Partei, 27-vjeçarit që ka kaluar nga Atletiko Madrid tek Arsenali për 50 milionë euro.
Mançester Junajtid ka marrë edhe mbrojtësin e majtë, Aleks Teles, 27-vjeçarin brazilian të Portos, ish-lojtar i Interit, për 17 milionë euro. Evertoni i Ançelotit ka blerë 22-vjeçarin Ben Godfrei nga Noruiçi. Kapiteni i Anglisë U-21, ka kushtuar 27.5 milionë euro. Evertoni ndërkohë ka huazuar te PSG-ja sulmuesin Moise Kean, kurse Mourinjo ka çuar deri në qershor mesfushorin Rajan Sesenjon te Hofenheimi. Leiçesteri ka huazuar Ghezalin te Beshiktashi. Këto janë lëvizjet e fundit në Angli.
Në Itali, lëvizja e fundit ishte transferimi i Deulofeut, ish-lojtarit të Milanit, tek Udineze. Më parë Kieza kaloi te Juventusi dhe kjo ishte lëvizja më e bujshme, kurse Smolling u kthye te Roma, ndërsa Milani mori mbrojtësin Dalot. Francezi Bakajako është një lojtar i Napolit, Kalehon ka kaluar te Fiorentina dhe Verona ka marrë Kaliniç.

Te PSG-ja kanë kaluar edhe Rafinja nga Barcellona, si dhe Danilo Pereira, i huazuar nga Porto. Olimpiku i Marsejës ka marrë nga Bajerni Mikale Kuisans, që u duke se do të kalonte te Lidsi i Bielsës. Renes ka blerë mesfushorin e djathtë Zheremi Doku. Për talentin 18-vjeçar klubi francez ka derdhur në arkën e Anderlehtit 27 milionë euro. Në Gjermani, mjaft aktive ka qenë Herta Berlin, që ka marrë nga Arsenali Mateo Guendouzi dhe nga Bazeli mbrojtësin paraguaian Alderete.
Pak lëvizje në Spanjë, Sevilja ka shitur Brajan Gil dhe Aleks Pozo tek Eibari dhe ka marrë për 4 milionë euro holandezin Rekik nga Herta, si dhe anësorin e majtë Osama Idrisi nga Alkmari për 12 milionë euro. Portieri Luka Zidan, një nga djemtë e trajnerit Zinedin, ka kaluar te Rajo Valekano. Kthehet tek Ajaksi për 11 milionë euro Deni Klasen nga Verder Bremeni. Olimpiakosi ka blerë portugezin Bruma nga PSV-ja dhe Ruben Vinagre nga Volvs. Braziliani Vitor Hugo ka kaluar te Trabzonspori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje