Me futbollin të bllokuar nga pandemia e koronavirusit prej më shumë se një muaji, natyrshëm lindin edhe dilemat për mbylljen ose jo të aktiviteteve. E sigurt është se, nëse do të luhet, ndeshjet do të jenë pa tifozë. Ditët e para pas pezullimit të aktiviteteve, sekretari i FSHF-së, Ilir Shulku, tha se institucioni që drejton futbolli në vend i ka gati modulet dhe se më i përshtatshmi do të zgjidhet kur të vendoset për rinisjen e kampionatit, por pa dhënë detaje konkrete.
Më pas, veçanërisht nga presidenti Duka, është trajtuar çështja e pagesave dhe ndihmës për klubet, ndërsa skenarët e mbylljes së kampionatit janë anashkaluar. Së fundit, presidentë klubesh si Ardjan Takaj i Skënderbeut apo Bekim Halilaj i Luftëtarit, kanë hedhur tezën e përfundimit të kampionatit në këtë moment, pasi klubet e kanë thuajse të pamundur të paguajnë lojtarët, por sërish nga FSHF-ja nuk ka pasur ndonjë reagim apo ndonjë njoftim zyrtar.
Edhe pse koha kalon dhe situata në Shqipëri sa i takon koronavirusit mbetet ende e vështirë, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, të paktën për momentin, janë të vendosur për t’i mbyllur aktivitetet në fushë, në të gjitha kategoritë. Ata janë në pozicion pritje dhe nuk preferojnë të përmendin hipoteza për fundin e kampionateve, ndryshe nga vendet e tjera, ku çdo ditë dalin variante të ndryshme.
Zyrtarë të Federatës bëjnë me dije për Gazeta Si se shpresohet shumë që futbolli të rinisë në muajin qershor për të luajtur ndeshjet e mbetura. Edhe udhëzimet e UEFA-s janë të qarta në këtë drejtim: përparësi kanë kampionatet kombëtare, pastaj kupat e Europës. Edhe Euro 2020 u shty për vitin tjetër për këtë arsye. Por sa do të jetë e mundur që ekipet t’i kthehen fushës? Askush nuk mund ta parashikojë, ndaj dhe në situata të tilla operohet me plan B, apo edhe plan C.

Superiorja është stopuar në javën e 26-ë, ka edhe 10 ndeshje për të luajtur. Muajt qershori dhe korrik do të mjaftonin për këto ndeshje, gjithmonë nëse 10 skuadrat e elitës do të jenë gati në fund të majit. “Për momentin na mbetet vetëm të presim, nuk mund të themi asgjë, sepse gjithçka varet nga qeveria dhe plani i saj i masave për situatën me koronavirusin. Kemi shumë shpresë të rifillojmë në qershor dhe të gjitha përpjekjet tona janë për t’i mbyllur kampionatet në fushë. Nuk duam të flasim për plan B në këtë moment”, – tha një burim i Gazeta Si pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.
Për t’u luajtur është edhe kompeticioni i Kupës së Shqipërisë, por përparësi mbetet kampionati i Superiores dhe Kategorisë së Parë dhe të Dytë. Nëse situata përmirësohet dhe qeveria zbut masat parandaluese ndaj pandemisë, duke lejuar zhvillimin e aktiviteteve sportive pa tifozë, FSHF do të lajmërojë menjëherë klubet të bëhen gati. Ndeshjet do të luhen me një ritëm të lartë, çdo tri ditë, pasi kjo është zgjidhja e vetme. Në rast të kundërt, pra nëse masat nuk zbuten për një kohë të gjatë, mund të kalohet në planin B, që do të ishte një turne me sistem grumbullimi për të shpallur kampionin dhe ekipet që shkojnë në Europë.
Rasti më i keq do të ishte plani C, që parashikon mbylljen e kampionateve dhe marrjen të mirëqenë të renditjeve aktuale, por në FSHF marrin në konsideratë për momentin vetëm planin A, atë të luajtjes së ndeshjeve në periudhën qershor-korrik. Në disa vende skuadrat e futbollit i janë kthyer stërvitjes dhe këtë gjë shpresojnë ta bëjnë edhe në Itali, ku situata është shumë herë më e rëndë se në vendin tonë, ndaj dhe në FSHF mbeten me shpresën se titulli kampion do të jepet në fushë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje