“Të vërtetën nuk mund ta ndalë askush”. Reagoi Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pasi ish-zyrtari i lartë FBI-së, Charles McGonigal ka pranuar fajësinë se ka fshehur informacionin nga Byroja Federale e Hetimit se ka marrë dhe fshehur 225,000 dollarë nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare, Agron Neza.
“Të vërtetën nuk mund ta ndalë askush, sado të vonojë, sado të investohet kundër saj, sado baltë të hidhet për ta mbuluar.
Mbi të gjitha, kjo e vërtetë është shpagim për demokratët që u vunë nën sulme për t’u bërë pis e për t’u dëmtuar jo vetëm nga Edi Rama, por edhe nga Sali Berisha”, shkruan Basha në Facebook.
Pranimi i fajësisë së McGonigal u bë në gjykatën federale në Uashington, në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve të zotit McGonigal. Ai pranoi fajësinë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, dhe prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.
I pyetur nga gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor, ai kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama’, zoti McGonigal u përgjigj “Po”, citoi Zeri i Amerikës.
Zoti McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga zoti Duçka.
Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së, i cili më pas është bërë subjekt hetimi në Shqipëri për origjinën e parave.
Vepra penale për të cilën pranoi fajësinë zoti McGonigal në Uashington, parashikon një dënim deri në 5 vjet burg, por dënimi mund të jetë më i zbutur. Kushtet e marrrëveshjes parashikojnë që zoti McGonigal nuk ka të drejtën ta apelojë vendmin, i cili parashikohet të jepet në shkurt të vitit të ardhshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje