Futboll

Më 1 shtator shorti i Ligës së Europës, Tirana ndeshet me një ekip kampion

Tirana meritoi shumë më shumë se ajo humbje dramatike ndaj Crvena Zvezdës në “Air Albania Stadium”. I gjithë opinioni futbolldashës, specialistë futbolli dhe vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përshëndetën përfaqësimin dinjitoz të kampionëve të Shqipërisë, të dënuar nga fati në atë 90-minutësh. Megjithatë, situata çdramatizohet nga fakti se Tirana do të vazhdojë të luajë në Kupat e Europës.

Bardheblutë, pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, kanë të drejtë të kalojnë në turin e tretë eliminator të Ligës së Europës. Emrin e kundërshtarit Tirana do ta mësojë nga shorti që do të hidhet pas mbylljes së turit të dytë eliminator të Ligës së Europës. Në turin e tretë të këtij kompeticioni marrin pjesë 20 skuadra, 10 nga të cilat vijnë nga Liga e Kampionëve, ashtu si Tirana, kurse 10 të tjerat janë ato që do të kualifikohen nga turi i dytë. Sipas rregullores, Tirana duhet të ndeshet me një ekip kampion të një kampionati tjetër.

Moment nga ndeshja Tirana-Crvena Zvezda, 0-1. Gazeta Si, 26 gusht 2020

Shorti është parashikuar të hidhet më 1 shtator, kur bardheblutë shpresojnë të kenë pak fat për të “peshkuar” një skuadër sa më të lehtë. Nëse e kalon turin e tretë eliminator të Ligës së Europës, Tirana shkon në “Play-Off”, pra një hap larg fazës së grupeve. Për më tepër, çdo kalim turi mbush arkën e klubit, kështu që kampionët kanë shumë arsye për të ecur përpara. Me atë që treguan ndaj Crvena Zvezdës, i kanë të gjitha mundësitë për të bërë histori.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë