Në Britani të Madhe, policia është vënë në alarm, pasi trafikantët shqiptarë po sponsorizojnë reklama në rrjetet sociale ku ofrojnë kalim të paligjshëm drejt ishullit me një pagesë prej 20 mijë paundësh.
Reklama së fundmi është publikuar në Tik Tok, një platformë sociale që përdoret në masë të madhe nga të rinjtë, por jo vetëm.
Nga një hetim i mediave britanike, konkretisht “Daily Mail“, rezulton që rrjetet sociale janë të mbushura me reklama nga trafikantët e qenieve njerëzore, ndonjëherë duke ironizuar përpjekjet e autoriteteve britanike për t’i ndaluar ata dhe duke postuar udhëzime hap pas hapi për të ndihmuar migrantët e paligjshëm të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Numri i migrantëve që kalojnë Kanalin është rritur në ditët e fundit, duke kapur shifrat e 8,000 emigrantëve deri më tani, më shumë se për tërë vitin 2020.

Një trafikant i qenieve njerëzore, llogaria e të cilit në TikTok është parë nga dhjetëra mijëra njerëz, mburret në profilin e tij: “Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të shkojnë në Angli, të kontaktojnë në kutinë time të inboksit. Udhëtimi sigurohet 100%”.
Videot e tij, paraqesin fotografi të “Union Jack” dhe “Big Ben” me komentin: “Udhëtim i sigurt nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar për 23 mijë euro”.
Në video të tjera, ai vë në lojë përpjekjet e autoriteteve britanike për të goditur migracionin e paligjshëm, duke treguar pamjet e një sulmi të policisë në një shtëpi, ndërsa ofronte të shiste vizat e tregut të zi për të futur njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar.

Një përdorues tjetër i TikTok, i quajtur “England Albania”, publikoi një video që tregon disa shqiptarë brenda një kamioni duke thënë se ata po drejtohen në Mbretërinë e Bashkuar.
Një llogari shqiptare e fshirë kohët e fundit e gjetur nga “Daily Mail” në TikTok, përmbante udhëzues se si të futesh në Britani të Madhe nga Franca, Holanda, Belgjika, Spanja dhe Portugalia.
Duke theksuar rrugën më të mirë, ai shkruante: “Ju duhet të vishni rroba si pastrues. Ora 05.50 e mëngjesit koha më e mirë për t’u nisur”.

Gazeta britanike, gjithashtu gjeti kontrabandistë shqiptarë që reklamonin në një llogari në Instagram të quajtur Journey-Belgjikë-Londër me një numër kontakti në Mbretërinë e Bashkuar.
Në faqen e mbyllur në Facebook “Shqiptarët në Londër”, e cila ka mbi 15,000 anëtarë, një shqiptar që përdor emrin “Leonard Sufa” postoi një foto të një kamioni me komentin: “Nesër pasdite në Angli. Më kontakto DM”.
Vitin e kaluar, “Mail” ekspozoi një trafikant shqiptar të qenieve njerëzore Kledjan Kurtaj, i cili reklamoi në Facebook për një rrugë “me lehtësi të madhe” në Britani përmes Dublinit, duke përdorur dokumente të rreme.

Drejtori i udhëheqjes së kërcënimit të Agjencisë Kombëtare të Krimit, Rob Jones, i tha komitetit të punëve të brendshme të “Commons”, se bandat kriminale përdorin rregullisht kanalet e mediave sociale për të publikuar rrugët e kontrabandës dhe për të reklamuar dokumente të rreme ose të vjedhura.
Ai tha se faqet më të shquara ishin Facebook, Instagram, Tëitter dhe Telegram, por postimet u panë gjithashtu në YouTube dhe TikTok.
Një burim i Policisë Kufitare Shqiptare tha për “Daily Mail”, se shumica e trafikantëve ishin të moshës midis 18 dhe 22 vjeç, nga zona të varfra të Shqipërisë dhe janë rekrutuar nga rrjetet kriminale për të punuar si fermerë të kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ata bien dakord të bëjnë këtë udhëtim dhe të punojnë si fermerë të kanabisit derisa të paguajnë deri në 20,000 paund, kostoja e kontrabandës”, – tha ai.
Një zëdhënës i TikTok, u shpreh se kishte hequr videot e trafikimit. “Ne kemi ndaluar përgjithmonë disa llogari për shkeljen e politikave tona dhe ne do të vazhdojmë të marrim masa atje ku është e nevojshme”, – theksoi.
Facebook dhe Instagram gjithashtu filluan një hetim dhe hoqën disa nga postimet e theksuara nga “Mail”. Sekretari i Brendshëm Priti Patel, kohët e fundit vizitoi Shqipërinë për të nënshkruar një marrëveshje që përshpejton dëbimet e kriminelëve dhe azilkërkuesve të dështuar.
Burimi: “Daily Mail”; Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje