Politike

‘Më i keq se Covid’/ Rama: Jemi ende nën sulmin kibernetik nga Irani

Gazeta Si- Nga Forumi Ekonomik i Davosit, kryeministri Edi Rama është fokusuar te sulmet kibernetike nga Irani, që sipas tij vazhdojnë çdo ditë.

“Nisi me shërbimet, por e dimë që infrastruktura kritike është në rrezik. Jemi ende nën sulm. Praktikisht çdo ditë. Është shumë sfilitëse, e frikshme. Dhe disi pamë anën tjetër të këtij bekimi të teknologjisë, që është mallkimi i teknologjisë”, tha Rama gjatë një bashkëbisedimi.

Kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë panelit të diskutimit “Sigurimi i Infrastrukturës Kritike”, tha se krimi kibernetik do të ishte ekonomia e tretë më e madhe në botë nëse do të ishte një shtet.

“Nëse krimi kibernetik do të ishte një shtet, do të ishte ekonomia e tretë më e madhe pas SHBA-së dhe Kinës. Bazuar në disa vlerësime. Në vitin 2015, operacionet kibernetike ishin rreth 3 trilion dollarë dhe parashikohet të jetë më shumë se 10 trilion dollarë në vitin 2025”, tha ai.

Ai e krahasoi krimin kibernetik si një sëmundje e panjohur në trupin e njeriut.

”Nuk është thjesht ta identifikosh atë. Bëhet fjalë për të jetuar me të pa e ditur. Si sëmundje në trupin tuaj që nuk i njihni. Mbani parasysh se kur duhet të investoni, është ndryshe kur investoni që diçka të ndodhë. Është ndryshe të investosh për të mos lejuar që diçka të ndodhë”, tha ai.

Rama shtoi se është më keq se koronavirusi. “Është edhe më e keqe se një pandemi. Pandemia ishte rreth një virusi. Bëhet fjalë për morinë e viruseve dhe mutacioneve që ndodhin çdo sekondë”, tha  kryeministri.

Sipas kryeministrit, ndërtimi i mburojës kibernetike kërkon kohë dhe mbi të gjitha shumë fonde. “Po të pyesësh çdo kryeministër në botë se çfarë mendon për kostot, do të thotë që ndjen dhimbje. Ndaj nuk është një pyetje shumë e mirë, por do përpiqem t’i mbijetoj dhimbjes. Është ndryshe kur investon për të bërë diçka, sepse njerëzit do ta shohin dhe do të të mbështesin; Është ndryshe kur investon për të mos lejuar diçka të ndodhë. Njerëzit do thonë, nga çfarë po e mbron, nuk ekziston”, shtoi Rama.

Panelistët arritën në konkluzionin se hakerat do të jenë gjithmonë një hap përpara në luftën kibernetike, por me anë të bashkëpunimit midis qeverive dhe kompanive, dëmi i tyre mund të kufizohet. Shqipëria pësoi një sërë sulmesh kibernetike në vitin 2022. Ajo vendosi t’i japë fund marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe t’u kërkojë diplomatëve të largohen brenda 24 orëve në vitin 2022.

Shqipëria, e mbështetur nga SHBA, fajëson Iranin për sulmin kibernetik që shkatërroi të dhënat e qeverisë dhe bllokoi shërbimet publike korrikun e kaluar. Ndërkohë grupi i hakerave iranian, Homeland Justice Albania, vijon të publikojë materiale të hakeruar nga institucionet shtetërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë