Rend dhe Ligj

Me kokainë në lokal, 4 të arrestuar, mes tyre një punonjës policie

Policia e Fierit në bashkëpunim me Prokurorinë e Lushnjës kanë finalizuar një operacion, duke arrestuar 4 persona, të cilët janë kapur me një sasi kokaine dhe u janë gjetur 3 armë gjahu. Mes tyre i prangosur është edhe një punonjës policie.

Policia thotë se në pranga janë vënë shtetasit:

A. Sh., 43 vjeç, banues në Divjakë;

L. B., 53 vjeç, banues në Divjakë;

H. M., 46 vjeç, banues në Tiranë;

I. V., 38 vjeç, banues në Tiranë (me detyrë punonjës policie).

Siç thuhet në njoftimin e policisë, në hyrje të qytetit të Divjakës, në lokalin e shtetasit L. B, u kapën me një sasi prej 34 gr. lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, nga kontrollet e banesave të tyre dhe më konkretisht në banesën e shtetasit A. Sh, në Divjakë, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 armë gjahu pa leje, 2 pajisje për prodhimin e fishekëve, si dhe një sasi baruti për prodhimin e fishekëve të gjuetisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, në ngarkim të shtetasit A. Sh., për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”, në ngarkim të shtetasit L. B., për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe në ngarkim të shtetasve H. M. dhe I. V., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë