Bota

Me kollë dhe temperaturë të lartë, Navalni shtrohet në spitalin e burgut

Aleksei Navalni u transferua nga burgu, në një institucion mjekësor penitenciar për shkak të “shqetësimit me frymëmarrjen”, pasi disidenti tha se kishte kollë dhe ethe dhe se të paktën 15 të burgosur të tjerë po trajtoheshin për tuberkuloz.

Gazeta ruse “Izvestia”, e cituar gjithashtu nga media të tjera, thotë se Navalni gjithashtu iu nënshtrua një tamponi për t’u kontrolluar për një infeksion të mundshëm Covid-19.

“Izvestia” citon një komunikatë nga autoritetet e burgut, që i referohen “simptomave të një sëmundjeje të frymëmarrjes, përfshirë ethet e larta”.

Lideri 44-vjeçar i opozitës, i cili është ende në grevë urie në shenjë proteste, ndodhet në një burg në rajonin Vladimir, pasi u dënua me dy vjet e gjysmë në shkurt për shkeljen e kushteve të lirisë së përkohshme.

Ai u arrestua pas kthimit nga Berlini, pas shërimit nga një helmim i pretenduar në Rusi, ndërsa duhej të ishte paraqitur para një gjykate për vuajtjen e një dënimi të vjetër të vitit 2014 për disa shkelje ligjore, të cilat ai i ka kundërshtuar gjithmonë.

Kritiku i ashpër i Putinit u arrestua sapo zbriti në aeroportin e Moskës pas kthimit nga Gjermania në janar të këtij viti.

Në kohët e fundit ai ka raportuar tortura psikologjike në burg, të tilla si, privimi sistematik i gjumit nga rojet, humbje e konsiderueshme e peshës (të paktën 8 kg) dhe dhimbje shpine dhe këmbësh, të cilat ai i atribuon kushteve të vështira të paraburgimit dhe mungesës së kujdesit të vërtetë mjekësor.

Ndërkohë, së fundmi, ai ka lëshuar një tjetër mesazh SOS: “Unë kam ethe, një temperaturë 38 gradë dhe kollë, në ekipin tim të paraburgimit ka tre pacientë me tuberkuloz nga 15 persona që jemi gjithsej, ose 20% e të burgosurve, – shkroi ai në Instagram. – Sigurisht, unë vazhdoj grevën e urisë, për të parë të respektuar të drejtën time për t’u vizituar nga mjekët e mi të besuar”, – shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë