Sport

Medalja e munguar, trajneri Toska: S’ka çështje trajneri, Calja i jashtëzakonshëm

Nga Fatjon Rupi – Vendi i katërt i peshëngritësit Briken Calja në Olimpiadën e Tokios, përveçse një sukses individual i sportistit shqiptar, është diskutuar më shumë edhe në sensin kritik ndaj shtetit dhe KOKSH-it. Reagimet më të shumta kanë ardhur për faktin se Calja nuk kishte trajnerin e tij Gerald Toska në Tokio.

Për Gazeta Si është vetë trajneri Toska që sqaron gjithçka, duke theksuar se nuk ka një çështje trajneri në këtë mes. “Është folur shumë për këtë gjë, por nuk është e vërtetë se Brikeni nuk kishte trajner në Tokio”, – thotë që në fillim Gerald Doska, ish-shok skuadre me Briken Caljen dhe vitet e fundit trajner i tij.

Briken Calja, trajneri Gerald Toska dhe Sokol Bishanaku. Gazeta Si, 29 korrik 2021

“Duke qenë se delegacioni ishte i limituar, – vazhdon më tej Toska, – nga peshëngritja do të shkonin një drejtues dhe një trajner. Si drejtues u zgjodh presidenti Fidel Ylli, i cili është i fushës, pra vjen nga peshëngritja, dhe si trajner u zgjodh Zef Kovaçi. Unë nuk jam ankuar asnjëherë për faktin që nuk shkova në Tokio”.

Trajneri Toska thotë më tej se të gjithë duhet të fokusohen te suksesi i Brikenit. “Vendi i katërt është një sukses, asnjëherë më parë peshëngritja jonë nuk e ka arritur këtë rezultat në Olimpiadë. Brikeni ka përmirësuar rezultatin e vet, duke ngritur 341 kilogramë në dygarësh. Dhe e ka bërë këtë gjë në moshën 31-vjeçare, kur dihet që kulmi i një sportisti të kësaj natyre është në moshën 23-28 vjeç.

Sigurisht, të vjen keq që Brikeni nuk mori medalje. Ishin mundësitë, ndoshta në shkëputje mund të bëhej pak më mirë. Megjithatë, unë e them me bindje se Brikeni ka hyrë në histori me këtë rezultat që ka arritur në Tokio. Kisha parashikuar që ai do të dilte nga vendi i tretë në të gjashtin dhe doli i katërti në dygarësh. Ne donim që Brikeni të garonte në baterinë e B, siç bëri Abdullah, që të ishte më i çlirët, por sërish na lanë në baterinë A”, – shprehet trajneri Toska për Gazeta Si.

Calja me trajneri Toska dhe drejtues te peshëngritjes në Moskë. Gazeta Si, 29 korrik 2021

Ka edhe një fije shprese për medaljen e bronzit, nëse ndonjë nga medalistët e Tokios rezulton pozitiv pas kontrolleve të anti-dopingut. Dhe për këtë duhet pritur 40 ditë. Mund të ndodhë si në Europian, ku Calja mori medalje argjendi në shtytje dhe bronzi në dygarësh, por peshëngritësi turk ka dalë pozitiv dhe tani Brikenit i takon e argjendta edhe në dygarësh. “Presim përgjigjet zyrtare, pasi turku ka dalë pozitiv”, – pohon trajneri Toska.

Shumë njerëz fajësojnë edhe shtetin për mbështetjen e paktë ndaj sportistëve, por trajneri Gerald Toska mendon ndryshe, të paktën për këtë rast: “Ajo që mund të them është se në këtë rast, pra për Olimpiadën e Tokios, shteti dhe KOKSH-i i kanë mbështetur sportistët. I kanë mbështetur me gjithçka, edhe financiarisht, sportistë si Brikeni, Izmir Smajlaj, Luiza Gega etj. Kjo është e vërteta dhe unë përsëri them se duhet të shijojmë këtë sukses të Brikenit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë