Politike

Mediat e huaja, jehonë protestës së dhunshme të Berishës: Luftë për pushtet në PD

Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë protestës së dhunshme të thirrur nga Sali Berisha në selinë e Partisë Demokratike, të cilën e themeloi së bashku me të tjerë para 30 vjetësh.

“Policia hodhi gaz lotsjellës kundër protestuesve në selinë e Partisë Demokratike të Shqipërisë në opozitë që ndodhet në një luftë për pushtet” shkruan agjencia prestigjioze e lajmeve, “Reuters”.

Nga ana tjetër, televizioni “Euronews”, raporton në faqen e tij në internet se, “Sali Berisha u përjashtua nga partia vitin e kaluar, pasi Uashingtoni e ndaloi atë të hynte në Shtetet e Bashkuara për korrupsion”.

Edhe gazeta “Jerusalem Post” në versionin e saj online thekson se “gjatë trazirave të së shtunës, mbështetësit e Berishës përdorën çekiç për të thyer dyert”.

Lajmi është publikuar edhe nga gazeta prestigjioze amerikane, “The Washington Post”. “Berisha po tenton të largojë kreun e demokratëve, Lulzim Basha, të cilin e akuzon si “peng” të kryeministrit Edi Rama të Partisë Socialiste të majtë”.

Prestigjiozja amerikane thekson se muajin e kaluar, zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar, tha se do të kishte “pasoja” nëse Partia Demokratike zgjidhte dikë për të qenë lider që ishte caktuar si persona ‘non grata’ nga Uashingtoni.

Ndërsa britanikja “The Independent”, raporton se “një grup i drejtuar nga ish-lideri i partisë Sali Berisha përdori shufra hekuri dhe çekiç për të thyer dyert kryesore të godinës. Stafi i partisë përdori gaz lotsjellës për t’i ndaluar ata të hynin përpara se policia të ndërhynte me kërkesë të partisë.

Protesta është pasqyruar gjerësisht edhe nga mediat greke, duke e cilësuar manifestimin e dhunshëm si “incidente të rënda”, duke shtuar se “kriza në Partinë Demokratike të Shqipërisë ka shkaktuar shqetësim të përgjithshëm”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë