Ne rrjet

Mediat ndërkombëtare për zgjedhjet: Shqiptarët votojnë pas një fushate të “hidhur”

Mediat kryesore ndërkombëtare, i kanë sot ‘sytë’ nga zgjedhjet parlamentare që po zhvillohen në Shqipëri, që sipas tyre, janë zgjedhjet më të trazuara politike të mbajtura që pas pluralizmit në vendin tonë. Mes tyre, Reuters, AbcNews, Euronews, Swissinfo i kanë dhënë vëmendje të veçantë rolit të presidentit Meta, korrupsioni i shit-blerejeve të votave, si dhe vënien në peshore të dy forcave politike kryesore në vend, PS dhe PD, pa lënë jashtë sondazhet.

Në një atikull me titull ‘Shqiptarët votojnë për qeverinë e re‘, Reuters shkruan se zgjedhjet janë ‘kokë më kokë’ mes forcave kryesore, ndërsa korrupsioni rëndon mbi votuesit në një nga kombet më të varfra të Evropës. Nuk lihen pa përmendur as trazirat që shkaktuan këto zgjedhje. “Të mërkurën një mbështetës i PS u vra dhe katër njerëz u plagosën gjatë një shkëmbimi zjarri përpara një zyre të PD”, shkruhet ndër rreshta.  “Votuesit janë të etur për t’i dhënë fund korrupsionit të përhapur që e renditur Shqipërinë në vendin e 104-të në listën e 180 vendeve të Transparencës Ndërkombëtare për vitin 2020 dhe përballen me akuzat e SH.B.A.-së për të qenë një burim kryesor për prodhimin e marihuanës dhe dërgesat e tjera të drogës“.

“Shqiptarët votojnë në zgjedhje pas një lufte të hidhur politike”,  nis artikulli i Abcnews. “Megjithëse zyrtarisht i paanshëm, Presidenti Ilir Meta është kthyer në një kundërshtar të zjarrtë të qeverisë, duke akuzuar Ramën për përqendrimin e të gjitha pushteteve legjislative, administrative dhe gjyqësore në duart e tij dhe drejtimin e një “regjimi kleptokratik” që ka goditur reagimin pandemik dhe ka vonuar integrimin e vendit në BE”, thuhet ndër të tjera.

Në të njëjtën vijë kënvështrimi i sheh zgjedhjet në Shqipëri edhe media zviceriane, Swissinfo. Në artikull theksohet edhe se ku janë përqendruar dy forcat politike kryesore. “Partia Socialiste (PS) e Kryeministrit Edi Rama po kërkon një mandat të tretë, ndërsa Partia Demokratike (PD) e Lulzim Bashës dëshiron një rikthim në pushtet tetë vjet pasi humbi zgjedhjet në vendin Adriatik me 2.8 milion njerëz“, thuhet ne artikull. 

Zgjedhjet në Shqipëri kanë gjetur pasqyrim dhe në mediat serbe, të cilat theksojnë se kryeministri në detyre i Partisë Socialiste është në pritje të mandatit të tretë ndërsa kryetari i PD-së është në pritje të sigurimit të mandatit të parë.

Danas dhe RTS radiotelevizioni shtetëror i Serbisë, në artikujt e tyre shkruajnë dhe për incidentet e fundit që janë kapur në vendin tonë për shkak të tentativave për blerjen e votës dhe vrasjen  ndodhur në Elbasan ku si pasojë humbi jetën Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër të tjerë.

Një vend të rëndësishëm duket se ka marrë dge roli i presidentit Meta në këto zgjehdje.

“Megjithëse zyrtarisht i paanshëm, Presidenti Ilir Meta ka kritikuar ashpër qeverinë, duke akuzuar Ramën për marrjen e të gjithë pushtetit, drejtimin e një “regjimi kleptokratik” që administron keq krizën shëndetësore dhe shtyn integrimin e vendit në BE”, shkruan Danas.

Gjithashtu theksohet dhe fakti që emigrantët dhe personat e infektuar me Covid e kanë të pamundur pjesëmarrjen në këto zgjedhje.

“Personat e prekur nga Covid nuk do të mund të votojnë. Ligji zgjedhor i Shqipërisë kërkon që votuesit të jenë fizikisht të pranishëm në qendrën e votimit dhe nuk parashikon ekipe lëvizëse. Subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar të një përqind të votave marrin pjesë në shpërndarjen e mandateve”, shkruan RTS radiotelevizioni shtetëror i Serbisë

“Ndërsa Shqipëria shkon drejt zgjedhjeve parlamentare më 25 prill, kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri Edi Rama po synon një mandat të tretë në krye të qeverisë, ndërsa Partia Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës po e sfidon atë përsëri. Kjo nuk është hera e parë që kjo dyshe përballet. Katër vjet më parë, Rama e mundi Bashën në zgjedhje që, sipas misionit monitorues të OSBE/ODIHR, u mbajtën “në kontekstin e përçarjeve politike të gjata dhe të thella … si dhe besimit të ulët të publikut”. Nuk kanë ndryshuar shumë gjëra që atëherë”, shkruan nga ana tjetër media ballkanike “Ballkan Insight”.

Slogani i Ramës në fushatë ka qenë “Shqipëria e ardhmja jonë!”, ndërsa ai i Bashës është  “Bashkë për ndryshim. Shqipëria fiton”.

“Një ish-emigrant në fillim të viteve 1990, Rama u kthye në Shqipëri nga Parisi për t’u bashkuar me Socialistët që drejtonin vendin si Ministër i Kulturës nga viti 1998 deri në vitin 2000. Në vitin 2000, ai fitoi garën për t’u bërë kryetar i bashkisë së Tiranës dhe drejtoi kryeqytetin dhe qytetin më të madh për tre mandate me radhë, 11 vjet në total.Ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste në 2005 pas humbjes së saj poshtëruese në zgjedhjet e atij viti, një pozicion që ai e mban ende. Rama, tani 56 vjeç, mori pushtetin në vend në vitin 2013, ndërsa garonte kundër Sali Berishës, kryeministrit në atë kohë dhe kreut të Demokratëve në pushtet në atë kohë”, shkruan kjo media. Gjatë mandatit të tij të dytë, Rama u kritikua më shumë për trajtimin e tij të ekonomisë, veçanërisht për partneritete të diskutueshme private dhe për dhënien e koncesioneve të ashtuquajturve oligarkë. Një problem tjetër i dukshëm është emigracioni masiv, duke përfshirë një “largim të trurit” të të rinjve dhe të arsimuarve. Mijëra njerëz u larguan nga vendi duke kërkuar azil në Evropë. Kjo e renditi Shqipërinë në krye të vendeve përsa i takon numrit të azilkërkuesve. Lidhjet e supozuara midis socialistëve dhe krimit të organizuar i kanë ofruar një tjetër narrativë të rëndësishme demokratëve në opozitë.Shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë ishte gjithashtu një çështje tjetër e nxehtë që mbizotëroi debatin për gati dy vjet dhe shkaktoi protesta kur ai u shemb në maj të vitit 2020. Rama tani po u kërkon shqiptarëve një mandat të tretë për të “vazhduar atë që ka filluar”. Ai e ka përqendruar fushatën e tij në vaksinimin masiv nga COVID-19, rindërtimin nga tërmeti i rëndë i nëntorit të vitit të kaluar dhe në “projekte të tjera të mëdha”. Më 18 prill ai fluturoi me avion nga Tirana për në Kukës për të përuruar aeroportin e dytë të vendit. Ai u kritikua për këtë në rrjetet sociale se po përdorte burimet publike në një fushatë elektorale, gjë e cila është e ndaluar me ligj. Gjatë mandatit të tij, Rama, një artist dhe piktor, gjithashtu ka synuar të ndryshojë fytyrën e qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë me dy projekte, “Rilindja Urbane” dhe “100 fshatra”. Të dy projektet gjithashtu janë kritikuar se nuk kanë sjellë ndryshime të vërteta, por se thjesht kanë ndryshuar fasadat.

Raundi i dytë për Bashën

“Kjo është hera e dytë që 46 vjeçari Lulzim Basha kandidon për postin e kryeministrit. Në këto zgjedhje, ai ka formuar “Aleancën për Ndryshim”, një koalicion me disa parti më të vogla, dhe nënshkroi një marrëveshje para zgjedhjeve që parashikon bashkëpunim pas zgjedhjeve, nëse ato fitojnë, me LSI-në. Në këto zgjedhje, fushata e tij është përqendruar në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndalimin e emigrimit masiv si dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Së bashku me deputetë të tjerë të Partisë Demokratike dhe LSI-së, ai dogji mandatin e deputetit në vitin 2019 si një shenjë proteste kundër një qeverie të cilën ai e quajti “një bandë” dhe që tha se ishte e lidhur me krimin e organizuar. Pas kësaj, megjithatë, u krijua një opozitë “e re” parlamentare që zuri vendet e lira në parlament. Ndërkohë opozita “e vjetër” nisi protestat masive në Tiranë. Pasi Basha dhe deputetët e tij u larguan nga parlamenti, ata nuk morën pjesë në zgjedhjet lokale në vitin 2019, duke lënë Socialistët të fitonin dhe qeverisnin pothuajse çdo bashki në vend, përveç Shkodrës në veri. Rama i ofroi Bashës një formë bashkëpunimi në këto zgjedhje, me kusht që ai të shkëputej nga figura të ndryshme të vjetra politike si ish-kryetari i LSI-së Ilir Meta, tani president, dhe ish-kryeministri Berisha. Basha e refuzoi ftesën’, thekson Balkan Insight”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë