Politike

Mediat turke i bëjnë jehonë/ Ekstradimi në Turqi i bosit të kriptomonedhave në dorën e Ramës

Gjykata e Lartë Shqiptare nuk ka pranuar kërkesën e Faruk Fatih Ozer, themeluesit të kriptomonedhave Thodex për të shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit për ekstradimin e tij në Turqi.

Vendimi i kësaj gjykate i marrë në dhomën e këshillimit, i ka hapur rrugë ekstradimit të turkut që akuzohet se ka mashtruar 390 mijë klientët e tij, duke u arratisur drejt Shqipërisë me 2 miliardë dollarë amerikanë.

Vendimi i Gjykatës së Lartë ka bërë jehonë në mediat turke. Tashmë gjithçka është e zgjidhur dhe pritet që Tirana zyrtare, konkretisht ministria e Drejtësisë të japë dritën jeshile për ta ekstraduar. Mediat turke i referohen një deklarate të Ministrit të Brendshëm, Sulejman Soylu, i cili njoftoi se Ozeri do të ekstradohej në Turqi pas procesit gjyqësor në Shqipëri.

Bosi i THODEX, Ozer u arrestua më 30 gusht 2022 në Shqipëri dhe akuzohet për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

Prokuroria turke më 22 prill të vitit 2021 filloi zyrtarisht hetimin pas denoncimeve të përdoruesve për mos qasje në llogaritë e bursës së kriptovalutave Thodex dhe pasi pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit.

 Në këtë kuadër u konfirmua se pronari i kompanisë, i dyshuari Ozer, ishte larguar jashtë vendit më 20 prill të vitit 2021. Më pas u lëshua një urdhër ndalimi për shumë persona të dyshuar, përfshirë edhe për Ozer ndaj të cilit më parë ishte nxjerrë një urdhër arresti.

Gjithashtu ndaj tij më 23 prill të vitit 2021 ishte lëshuar një njoftim i kuq nga Interpoli. Sipas aktakuzës, e cila është përgatitur në përfundim të hetimeve të kryera nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të Anadollit të Stambollit dhe në të cilën kanë marrë pjesë 2027 persona si ankues, thuhet se për këto krime dëmi i shkaktuar përllogaritet  në 356 milionë lira.

Në shtetin turk Ozer rrezikon deri në 40 mijë vite burg referuar të gjitha akuzave që rëndojnë ndaj tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë