Politike

Mediu: Opozita duhet të gjejë mënyrën të bashkojë të gjithë shqiptarët

Forumi Rinor Republikan zhvilloi një takim në zonën e Don Boskos.

Nënkryetari i PR dhe kryetari i degës së Tiranës Blendi Sulaj tha se te rinjtë në PR janë pjesë e vendimmarrjes politike, garës elektorale për parlament dhe nesër e qeverisjes së djathtë.

Ndërsa kryetari i PR-së, Fatmir Mediu u tha të rinjve:

“Është shumë e rëndësishme të kuptoni vlerën tuaj në jetë. Sfida më e madhe e njeriut në jetë është sfida me vetveten, sfida për të ndryshuar veten e tij, sfida për të realizuar qëllimet e tij, dhe të ëndërrosh, të besosh dhe të luftosh, është gjëja më e bukur që njeriu mund të ketë në jetë.

Prandaj unë ju ftoj ju që të ëndërroni dhe të besoni që ajo që ne nisëm në vitet 1990, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, mund të bëhet realitet nëpërmjet punës suaj. Por për të shkuar në zgjedhjet e 25 Prillit është e domosdoshme që gjithësecili nga ne të kuptojë vlerën e angazhimit të vet në politikë, është e domosdoshme të kuptojmë që sot, kemi përballë jo një parti politike, jo një qeveri, por një regjim të korruptuar dhe të inkriminuar, i cili në mënyrë të vazhdueshme po shkatërron jetën e qindra, mijëra familjeve shqiptare”

Opozita, sipas Mediut, duhet të gjejë mënyrën për të bashkuar të gjithë shqiptarët kudo që janë.

“Prandaj mendoj që roli i rinisë është jashtëzakonisht i veçantë.

 Në vitet 1990 ne u bashkuam në lëvizjen demokratike, me motivin; “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. Bëmë atë që mundëm ne në atë kohë, të ndryshonim sistemin, bëmë më të mirën për ta hapur Shqipërinë karshi perëndimit, për të ndërtuar ekonominë e tregut, për ta bërë Shqipërinë vend anëtar të NATO-s, për të liberalizuar vizat, njëkohësisht për të arritur deri tek negociatat me Bashkimin Europian.

Por ju keni në dorë një revolucion tjetër shumë të rëndësishëm, të jetës suaj, të familjeve tuaja, të Shqipërisë.

Revolucionin për të ndërtuar shtetin europian në Shqipëri, shtetin e lirisë dhe të drejtave, shtetin që respekton njerëzit, një qeveri që vjen nga vota e popullit, punon për popullin dhe është me popullin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë