Politike

Mediu, projekt-rezolutë në Kuvend: Rajoni po përballet me kërcënimet ruso-serbe

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu bashkë me tre deputetë të tjerë dorëzuan në Kuvend një projektrezolutë që lidhet me situatën në rajon.

Rezoluta me 5 pika drejtuar qeverisë shqiptare përmban në thelb zhvillimet e fundit në rajon.

“Me kolegun Bujar Leskaj, Isuf Çelaj, por dhe shumë të tjerë kemi menduar që të paraqesim në Kuvendin e Shqipërisë një projekt rezolutë, të cilën do ta diskutojmë me të gjithë përfaqësuesit e partive politike në mënyrë që të arrijmë në një rezolutë të plotë, të përfaqësojmë qëndrimin e parlamentit dhe të forcave tona politike, për të njehsuar një qëndrim mbarëshqiptar në raport me zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit. Është një situatë shqetësuese që duhet të na bëjë të jemi të gjithë në një zë, në një qëndrim, në një frymë bashkëpunimi dhe konsultimi dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Mediu. Kryerepublikani radhiti pesë pikat e projekt-rezolutës:

“ Kuvendi të ngarkojë qeverinë në këshillim me partnerët tanë strategjikë dhe ta adresojë urgjentisht këtë problematikë  në NATO.

Nëpërmjet delegacioneve të veta në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ta shpërndajë këtë rezolutë në këto asamble dhe ta bëjë atë objekt debati atje, si dhe forumet e tjera ndërparlamentare.

I kërkon qeverisë, si anëtare e përkohshme për dy vitet e ardhshme e Këshillit të Sigurimit të OKB, të përcaktojë qartësisht objektivat për rajonin dhe Kosovën.

Të shtohet mbështetja për Integrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, duke shpjeguar me theks të ri, se lënia e këtij shteti të ri jashtë, e ekspozon atë dhe rajonin me lehtësi përballë kërcënimeve ruso-serbe.

Të organizojë një forum ndërparlamentar Shqipëri – Mali i Zi – Kosovë – Maqedoni e Veriut, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë