Bota

Rusia: Raketa bërthamore ruse në Balltik, nëse Suedia dhe Finlanda hyjnë në NATO

Gazeta Si – Nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen NATO-s, “nuk do të jetë më e mundur të flitet për një status jo-bërthamor të Balltikut. Duhet të rivendoset ekuilibri. Deri më tani, Rusia nuk ka miratuar masa të tilla dhe nuk do t’i kishte miratuar ato, por nëse jemi të detyruar …”.

Duke folur këtë mëngjes, ish-udhëheqësi rus Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, ka thënë se do të ketë pasoja nëse kjo ndodh.

“Rusia do të forcojë kufijtë e saj perëndimorë nëse Suedia dhe Finlanda hyjnë në NATO, gjatësia e kufirit tokësor të aleancës me Rusinë do të dyfishohet. Sigurisht, do të jetë e nevojshme të forcohen këto kufij”, – vuri në dukje ai.

Medvedev shpjegoi se “do të jetë e nevojshme të forcohet seriozisht grupi i trupave tokësore dhe sistemi i mbrojtjes ajrore dhe të vendosen forca të konsiderueshme detare në Gjirin e Finlandës”.

Sipas tij, “në këtë rast, ne nuk mund të flasim më për statusin jo-bërthamor të Baltikut, ekuilibri duhet të rivendoset, – tha ai. – Rusia deri më sot nuk ka marrë masa të tilla dhe nuk kishte ndërmend ta bënte këtë. Nëse ne jemi të detyruar ta bëjmë këtë, atëherë, vini re, se nuk e sugjeruam ne, siç tha një personazh i një filmi të famshëm të vjetër”, – ka shtuar krahu i djathtë i Vladimir Putinit.

Reagimi i ashpër i Moskës erdhi një ditë pasi kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, pohoi se Helsinki do ta marrë brenda disa javësh vendimin nëse do të aplikojë për anëtarësim në NATO: “Nuk do të jap afate të qarta kohore se kur do ta marrim vendimin tonë, por mendoj se do të ndodhë shumë shpejt. Do t`i kemi këto diskutime brenda disa javësh, e jo muajsh”.

Homologia suedeze e kryeministres Marin, Magdalena Andersson, paralajmëroi gjithashtu një ndryshim të madh të politikës për shtetin e saj, duke thënë se edhe Stokholmi po kërkon gjithashtu tani t’i bashkohet NATO-s.

Të dyja këto vende janë treguar të kujdesshme dhe për vite me radhë e kanë shmangur hedhjen e një hapi të tillë që do të krijonte tensione të mëdha me Rusinë, por lufta e Ukrainës ka ngjallur shqetësime shumë të mëdha sa i takon situatës së sigurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë