Futboll

Mendes në Torino, i premton Juventusit Kristiano Ronaldon e ri

Agjenti i njohur portugez, Horge Mendes, ndodhet në Torino për merkaton e Juventusit. Tifozët juventinë kanë nisur të ëndërrojnë për një tjetër goditje të madhe, pas atyre të Kristiano Ronaldos dhe Kanselos, të realizuara na verë falë prokuratorit në fjalë. Në ndeshjen me Udinezen, Mendes ka qenë në stadium dhe aty ka takuar Fabio Paratiçin, drejtorin sportiv të Juventusit, me të cilin ka raporte shumë të mira.

Ronaldo dhe Kanselo nuk luajtën në këtë ndeshje, kështu që kuptohet qartë se Mendes dhe Paratiçi kanë biseduar për merkaton, për lëvizjet e mundshme në verë. Në veçanti është biseduar për yllin portugez që po lind, Zhoao Feliks. Sulmuesi i Benfikës, i datëlindjes 1999, në vendin e tij konsiderohet pasardhësi i Kristiano Ronaldos dhe në gjurmët e tij janë edhe shumë klube të tjera, por Juventusi ka “armën” Mendes. Javën e kaluar, sipas shtypit italian, agjenti portugez ka qenë në Torino dhe ka takuar me Paratiçin bashkë me presidentin e Benfikës, çka vërteton interesimin serioz të Juventusit për një nga të rinjtë më premtues në botë.

Zhoao Feliks, sulmuesi i talentuar i Benfikës

Mançester Junajtid është një tjetër klub i madh që po e ndjek këtë lojtar dhe në verë pritet të shpërthejë një ankand i vërtetë për portugezin. Paratiçi është nga ata drejtues që nuk i ka qejf ankandet dhe kërkon të shfrytëzojë miqësojë me Mendesin për t’i paraprirë situatës dhe ta fitojë para kohe konkurrencën me klubet e tjera. “Xhevahiri” portugez pëlqehet shumë në kampin juventin dhe duhet të nisin që tani bisedimet me Benfikën. Klubi portugez ka futur në kontratën e Xhoao Feliks një klauzolë prej 120 milionë eurosh për prishjen e parakohshme të saj.

Kjo shifër konsiderohet shumë e lartë për momentin nga drejtuesit e Juventusit, të cilët janë të pritur të investojnë për sulmin, pasi ne verë duket i sigurt largimi i brazilianit Dagllas Kosta. Zhoao Feliks është një pistë gjithmonë e më konkrete edhe për faktin se ai që është pranë këtij futbollisti betohet se për djaloshin do të ishte ëndërr të luante bashkë me idhullin e tij, Kristiano Ronaldon.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë