Borusia Dortmund ka tashmë zyrtarisht një mbrojtës të ri të krahut të djathtë. Klubi gjerman ka njoftuar në faqen e vet blerjen e një lojtari që të gjithë do ta donin, Tomas Meunier, i cili ka firmosur një kontratë deri në vitin 2024. Më 30 qershor atij i skadon kontrata me PSG-në dhe për të ardhmen ka zgjedhur Borusia Dortmundin, që e merr me parametra zero.
Me skuadrën e re ai mund të integrohet mirë në skemën e trajnerit Favre, tashmë i konfirmuar nga klubi gjerman. Loja e Borusias i ngjan shumë asaj të Belgjikës, ku Meunier luan në gjithë krahun e djathtë. “Dita e madhe erdhi, – shkruan Meunier në Tuiter. – Është një nder i madh që të bëj me dije se tani jam një lojtar i Borusia Dortmund. Një kapitull i ri hapet dhe do ta vesh me nder fanellën verdhezi”.

Në Francë sezoni ka përfunduar, por PSG-ja është kualifikuar për në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, që do të luhen në muajin gusht. Pa Meunier, i cili gjithsesi nuk mund të luajë që tani në kampionatin gjerman, por duhet të presë fillimin e sezonit 2020-2021. Borusia është eliminuar nga Liga e Kampionëve pikërisht nga PSG-ja. Gjermanët kanë në ekip Ashraf Hakimin për krahun e djathtë, por kartonin e tij e ka Real Madridi. Me blerjen e Meunier, është e lehtë të mendohet se Hakimi do të kthehet te madrilenët.
Drejtuesit e Realit ndoshta kanë menduar që tani për pasuesin e Dani Karvahal, edhe pse ky i fundit nuk është shumë i madh në moshë. Hakimi ka bërë një sezon të kënaqshëm me Borusian dhe Reali duket se është bindur për të mos e huazuar më, por orët e fundit po flitet për një interesi të Interit për futbollistin maroken.
Burimi: Gazzetta dello Sport/Përktheu: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje